Në vend të bakrit me vlerë 36 milionë $, kompania turke dërgon në Kinë kube betoni

  • E.K /
  • 10 March 2021 - 09:57
 Në vend të bakrit me vlerë 36 milionë $, kompania turke dërgon në Kinë kube betoni

Një kompani zvicerane ka rënë viktimë e një furnizuesi nga Turqia. Në vend të një sasi të madhe të bakrit të porositur, vlera e të cilit ishte 36 milionë dollarë, kompanisë iu dërguan kube të ngjyrosura të betonit.

Kompania me bazë në Gjenevë, Mercuria Energy Group, thotë se ka qenë viktimë e një mashtrimi pas blerjes së 10 mijë tonëve të bakrit, shkruan BBC.

Kur dërgesat filluan të arrinin në Kinë, kompania zbuloi se në vend të bakrit, ngarkesa ishte me kube të ngjyrosura betoni.

Vitin e kaluar, kompania u pajtua që ta blinte sasinë e konsiderueshme të metalit për ta dërguar në Kinë. Rreth 6.000 tonë bakër u ngarkuan në një dërgesë me mbi 300 kontejnerë në tetë anije.

Por para se dërgesa të nisej nga një port i Stambollit, bakri u zëvendësua me kube betoni, të cilat përdoren për shtrimin e rrugëve dhe trotuareve.

Kompania tashmë po kërkon dëmshpërblim në gjykatat turke dhe britanike, duke paraqitur ankesë ndaj furnizuesit “Bietsan Bakir”.

Departamenti për krime financiare i policisë së Stambollit ka arrestuar disa persona të dyshuar, të cilët janë në mbajtje dhe rasti është kategorizuar si krim i organizuar.

(Kosova Sot Online)