Eskalon përplasja për vaksinat, Britania e akuzon BE-në për gënjeshtra

  • E. /
  • 10 March 2021 - 10:38
 Eskalon përplasja për vaksinat, Britania e akuzon BE-në për gënjeshtra

Një mosmarrëveshje e re ka shpërthyer mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian pas deklaratës së zyrtarit të lartë të BE-së se Mbretëria e Bashkuara e ka bllokuar tërë eksportin e vaksinave për Covid-19.

Charles Michel, president i Këshillit Evropian, pretendoi në mënyrë të pasaktë se Britania e ka ndaluar plotësisht eksportimin e vaksinave që prodhohen në territorin e saj.

Transmetuesi publik britanik, BBC, ka marrë vesh se sekretari i Jashtëm, Dominic Raab, i ka shkruar zyrtarit të BE-së, duke i thënë se pretendimet e tij janë tërësisht të rreme.

Kjo është hera e dytë këtë vit që Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian përplasen rreth prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave kundër koronavirusit.

Në janar, BE-ja vendosi një sistem të ri të kontrollimit të eksportit të vaksinave për shkak të shqetësimeve për mungesën e tyre në kontinent, duke kërkuar nga prodhuesit që të bëjnë kërkesë për leje nga qeveritë kombëtare për shitjet jashtë Bashkimit Evropian.

Udhëheqësit e BE-së janë nën trysni për shkak të shpërndarjes së ngadalshme të vaksinave në krahasim me numrin e personave të vaksinuar në Britaninë e Madhe – 22.5 milionë.

Më herët, BE-ja është ankuar se kompania AstraZeneca nuk e ka mbajtur premtimin për shitjen e miliona dozave, duke marrë masa hakmarrëse të kufizimit të vaksinave të prodhuara në bllok.

(Kosova Sot Online)