Babë e bir e rrahin një të mitur në një shkollë në Prizren, caktohet masa e paraburgimit ndaj tyre

  • E.K /
  • 12 March 2021 - 11:05
 Babë e bir e rrahin një të mitur në një shkollë në Prizren, caktohet masa e paraburgimit ndaj tyre

Caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurve A.O dhe M.O për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘lëndim i lehtë trupor’.

Masa e paraburgimit do të llogaritet që nga koha e arrestimit, pra nga 09/03/2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 08/04/2021.

“Me datë 9 mars, në orët e mëngjesit, në shkollën fillore të fshatit Caparc (Prizren), të pandehurit i shkaktojnë lëndime trupore të miturit – i dëmtuari nxënës i shkollës, për shkak se i mituri – i dëmtuari kishte pasur një mosmarrëveshje të mëhershme me vajzën e të pandehurit A.O., ashtu që të pandehurit A.O., dhe M.O., (babë e bir), shkojnë në shkollë dhe derisa ishte duke u mbajtur ora mësimore, e sulmojnë të dëmtuarin – viktimë e ndjeshme i moshës së mitur, ashtu që të pandehurit duke e goditur me shuplaka në pjesë të ndryshme të trupit i shkaktojnë lëndime trupor të dëmtuarit të konstatuara nga raporti mjekësor”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Prizrenit.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjithashtu për shkak të peshës së veprës penale, në rastin konkret kemi të bëjmë me lëndime trupore të cilat janë shkaktuar të dëmtuarit të mitur, ndërsa në anën tjetër po ashtu duke marr parasysh mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, ku i dëmtuari – i mitur është keqtrajtuar në ambientet e shkollës, duke e goditur me shuplaka në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime trupore, dhe duke e keqtrajtuar në ambientet e shkollës e cila skenë i ka traumatizuar të gjithë nxënësit dhe personelin arsimor në atë shkollë, e në anën tjetër duke marrë parasysh marrëdhëniet dhe raportet e acaruara të palëve, kjo le për të besuar se me lënien e të pandehurve në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale ku mund të shkaktohen pasoja edhe më të mëdha, e për më tepër kur merret parasysh fakti se të pandehurit, të pajisur me armë kanë shkuar për kryer këtë vepër penale.

Gjykata ka ardhur në përfundim se masa e paraburgimit është adekuate, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, ndikimin në dëmtuarin, dëshmitarë, peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së këtyre veprave, e cila është kryer në ambientet e shkollës, raportet e acaruara në mes të palëve, e po ashtu edhe nga të cekurat më lart gjatë, caktimi i masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

(Kosova Sot Online)