Avdullah Hoti kërkon nga kryetarët e komunave që të mbajnë sistemin e mobilizuar përmes shtabeve lokale

  • E.K /
  • 12 March 2021 - 11:53
 Avdullah Hoti kërkon nga kryetarët e komunave që të mbajnë sistemin e mobilizuar përmes shtabeve lokale

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, ka mbajtur sot një takim online me kryetarët e komunave dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, të cilët i ka falënderuar për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të Shtabeve Lokale përmes Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit  Kombëtar të Shëndetit Publik , Shërbimit Spitalor dhe institucioneve të tjera që kanë qenë të përfshira.

“Jo ndoshta çdo gjë ka funksionuar si duhet, por puna që është bërë përmes Shtabeve Lokale dhe përmes përfshirjes së drejtpërdrejtë të kryetarëve të komunave në menaxhimin e situatës besoj se ka dhënë rezultate te jashtëzakonshme”, ka theksuar kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti, tha se Kosova është përballur me këtë situatë me shumë të panjohura, sikur çdo vend tjetër në botë, por theksoi se gjatë këtyre muajve kanë mësuar që të menaxhojnë më mirë me situatën.

“Kemi riorganizuar sistemin shëndetësor dhe institucionet tjera për t’i dalë në ballë kësaj pandemie dhe jemi këtu ku jemi.  E them me kënaqësi që është arritur që përmes Ministrisë, Institutit, Shërbimit Spitalor, Shtabeve Lokale, Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe institucioneve tjera, të menaxhohet  situata dhe në bazë të indikatorëve ndërkombëtarë, jemi ndër vendet që e kemi menaxhuar relativisht mirë këtë situatë”, tha kryeministri Hoti, dike shprehur ngushëllime për të gjithë ato familje që kanë humbur të dashurit dhe anëtarët e tyre, si pasojë e pandemisë. 

Më tej, kryeministri Hoti tha se, ndihet mirë që bashkë me kabinetin, asnjëherë nuk janë sfiduar për mungesë të buxhetit ose të angazhimit të resurseve të nevojshme për t’i dalë ballë kësaj pandemie, megjithëse resurset kanë qenë të kufizuara.

Kryeministri Hoti, po ashtu ka njoftuar se tashmë është rregulluar përfundimisht furnizimi me oksigjen nëpër spitale dhe klinika të ndryshme, janë shumëfishuar kapacitetet testuese dhe sot asnjë person që ka nevojë të testohet nuk mbetet pa u testuar dhe është punuar qe sa kohë në sigurimin e vaksinës për të cilën ka pasur kritika publike krejtësisht të pabazuara.

“Ajo që ka ndodhur në regjion janë vaksina që kanë ardhur nga vendet e lindjes pa ju përmend fare emri që nuk janë të certifikuara dhe që nuk ju kanë kryer protokollet e nevojshme. Ne nuk kemi hyrë në ato lojëra që të sigurojmë vaksina veç sa për imazh publik”, tha kryeministri Hoti.

Po ashtu, kryeministri Hoti tha se për disa ditë do të vijën furnizimet e para me vaksina dhe për këtë bërë strategjia e imunizimit, janë njoftuar kryetarët e komunave në detaje, janë identifikuar edhe personat, grupmoshat e caktuara që do të imunizohen qysh në fillim.

Kryeministri Hoti, kërkoi nga kryetarët e komunave që të mbajnë sistemin plotësisht të mobilizuar përmes shtabeve lokale, tash në kohën kur jemi në javët dhe muajt e fundit të menaxhimit të kësaj pandemie dhe t’ju ofrohen shërbime të nevojshme personave që janë të izoluar në shtëpi.

(Kosova Sot Online)