Gjykata ia merr dy fëmijët nënës për shkak se nuk humbën peshë

  • E.K /
  • 12 March 2021 - 12:26
 Gjykata ia merr dy fëmijët nënës për shkak se nuk humbën peshë

Një gjykatë britanike ia ka marrë një nëne dy fëmijët e saj dhe i ka dërguar në përkujdesje shtetërore për shkak të shqetësimit se dështimi për të humbur peshë është duke ua dëmtuar shëndetin.

Gjykatësja e rastit vendosi që fëmijët duhet të jetojnë në një familje strehuese, sepse përndryshe shëndeti i tyre do të vazhdojë të jetë i neglizhuar dhe ata do të vazhdojnë të shtojnë peshë, shkruan Daily Mail.

Ky është vendimi i parë që bëhet publik e me të cilin fëmijët largohen nga familja e tyre për shkak të shqetësimeve rreth mbipeshës.

Gjykatësja Gillian Ellis tha se djali i moshës 17-vjeçare dhe vajza e moshës 13-vjeçare janë fëmijë të aftë dhe inteligjentë. Megjithatë, ndonëse punëtorët socialë u kishin ofruar pajisje për monitorimin e aktivitetit fizik, anëtarësi në palestra sportive dhe kurse për aktivitete, ata nuk humbën peshë.

Në gjykatë u tha se nëna e fëmijëve ka dështuar që t’ua mbjellë fëmijëve shprehitë e ushqyerjes së shëndetshme, ushtrimeve fizike dhe vetëkujdesit të mirë.

“Fëmijët kanë dështuar që të angazhohen në mënyrë të vazhdueshme në ushtrime. Nëna e fajësoi izolimin, por ushtrimet kanë mundur të bëhen në shtëpi ose duke ecur jashtë”, tha gjykatësja.

Punëtorët socialë thanë në gjykatë se fëmijët janë përballur me neglizhim edhe përmes kushteve të dobëta në shtëpi dhe mungesës së udhëzimeve për kujdes personal. Sipas tyre, këto rrethana kanë ndikuar që ata të ngacmohen në shkollë dhe të kenë vlerësim të ulët për veten.

(Kosova Sot Online)