Besian Mustafa: Nesër me Lumirin, Lutfiun e Antonin jemi kundërkandidatë, në mbrëmje kolegë të rreshtuar pas kryetarit të ri

  • E.K /
  • 13 March 2021 - 11:44
Besian Mustafa: Nesër me Lumirin, Lutfiun e Antonin jemi kundërkandidatë, në mbrëmje kolegë të rreshtuar pas kryetarit të ri

Besian Mustafa, djali i aktivistit të vrarë të LDK’së Xhemail Mustafës, ka reaguar një ditë para mbajtjes së Kuvendit zgjedhor ku edhe do të kandidojë për t’u bërë kryetar i ri i partisë pas dorëheqjes së Isa Mustafës si rezultat i debaklit më 14 shkurt ku LDK mori 100 mijë vota më pak, duke thënë se nesër në mëngjes me Abdixhikun, Hazirin e Qunin do të jenë kundërkandidat por në mbrëmje kolegë të rreshtuar pas shefit të ri të partisë.

“Unë, Lumiri, Lutfiu, Antoni, etj. jemi LDK, fund e krye! Nesër në mëngjes jemi kundërkandidat në garën më demokratike në politikën kosovare. Nesër në mbrëmje jemi miq, bashkëpartiak dhe kolegë të rreshtuar pas kryetarit të ri. Që nga dita e parë e LDK-së, 23.12.1989, na ka udhëhequr uniteti, solidariteti, dialogu, vizioni!”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka thënë se s’ka brenda LDK’së grupe e skema imagjinare në prag të zgjedhjeve të brendshme.

“Ashtu siç pritej, në medie u fol shumë, u munduan të na bëjnë pjesë të grupeve e skemave imagjinare. Por, ne ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë të bashkuar rreth LDK-së!

Heshtja që po mbizotëron ende brenda LDK-së duhet thyer shpejtë, shumë shpejtë. Ja kemi borxh të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjithë brezave të saj”, ka shkruar tutje ai.

Ai ka ndarë edhe disa fjali të babait të tij të shkruara pak muaj para themelimit të LDK’së.

“Po ndaj me ju disa rreshta të babit tim, shkruar më 27.02.1989, pak muaj para se të themelonte LDK-në, mbi heshtjen e atëhershme rreth grevës së minatorëve:

“Intelegjencia krijuese e vendit, pjesa dërrmuese e intelektualëve që betohen shpesh në humanizëm, në demokraci dhe në lirinë e shpirtit e të mendjes, këto ditë ranë në një provim të rëndë moral, që për intelektualët dhe inteligjencien e njëmendët, s’ka dyshim, është rënia dhe pësimi më i rëndë. Po bëhen shtatë ditë të tëra që kur minatorët e Trepçës gjendjen në galeritë e thella e të ftohta të nëntokës, kurse pjesa dërrmuese e inteligjencis së vendit hesht, rri dhe bën sehir me një dramë të paparë njerëzore, me një tragjedi…

Indiferenca dhe turpi, sprova dhe katandisja morale mund të jetë e pafund, veçmas kur inteligjencia kalkulon me qëndrime, disponime dhe me strategji të ndryshme pragmatike e politikaniste…

Me dramën e minatorëve njeriu duhet të solidarizohet, kurse drama, katandisja morale dhe heshtja e inteligjencias së vendit njëmend është për ngushëllim.”, ka përfunduar Mustafa.

(Kosova Sot Online)