Zbardhet rendi i ditës i Kuvendit të LDK-së ku do të zgjidhet kryetari i ri

  • E.K /
  • 13 March 2021 - 16:42
 Zbardhet rendi i ditës i Kuvendit të LDK-së ku do të zgjidhet kryetari i ri

Nesër në një prej hoteleve të kryeqytetit do të mblidhen delegatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të zgjedhur kryetarin e ri. Rreth 350 delegatëve të kësaj partie që do të marrin pjesë nesër në një prej takimeve më të rëndësishme për të ardhmen e partisë, iu është dërguar edhe rendi i ditës.

Mbledhja do të fillojë në orën 10:00 të mëngjesit, derisa nga ora 9 deri në orën 9 e 45 është koha kur delegatët duhet të mblidhen në hotelin “Emarald” ku edhe do të mbahet Kuvendi Zgjedhor.

Në pikën e parë të rendit të ditës do të zgjidhen trupat punuese të Kuvendit, derisa në pikën e dytë të rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit të ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës që do ta pasojë Isa Mustafën.

Deri tash, kandidaturat e bëra publike janë ajo e Lumir Abdixhikut, Lutfi Haziri, Anton Qunit dhe Besian Mustafës.

LDK në këtë proces të brendshëm zgjedhor ka hyrë pas një disfate të rëndë në zgjedhjet e 14 shkurtit ku doli si parti e tretë me 100 mijë vota më pak se në zgjedhjet e kaluara të 6 tetorit.

(Kosova Sot Online)