Lumir Abdixhiku bën homazhe te varri i Ibrahim Rugovës, dërgon një mesazh nga atje

  • E.K /
  • 15 March 2021 - 11:57
 Lumir Abdixhiku bën homazhe te varri i Ibrahim Rugovës, dërgon një mesazh nga atje

Një ditë pas zgjedhjes në krye të LDK’së, Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Nga aty, shefi i ri i LDK’së deklaroi se mburret me të kaluarën e partisë, por ajo nuk mjafton.

Abdixhiku deklaroi se do të vazhdojnë të kultivohen idetë tradicionale të LDK’së.

“Po e nisim nga këtu, për të nderuar dhe kujtuar jo vetëm kryetarin e parë të LDK’së, Dr.Ibrahim Rugova, por edhe themeltarin e Republikës së Kosovës, nga këtu dërgojmë mesazhet se idetë tradicionale të LDK’së mbesin ide të kohës, të përhershme të cilat do t’i kultivojmë edhe në këtë pjesë tonën. Ndjehemi krenarë për punët e bëra që nga themelimi e deri më sot. E kaluara jonë është e kaluar me të cilën mburremi, por ajo sot s’na mjafton. E ardhmja ndërtohet duke respektuar të shkuarën, por duke i dhënë përgjigje çështjeve që janë emergjente për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku.

I pyetur se si do të veprojë LDK’ja në zgjedhjen e Presidentit, ai tha se po e pret takimin e së premtes me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.

“Siç kam deklaruar dje, po presim për konfirmimin e takimit të së premtes, ditën e propozuar nga ne. Sepse gjatë kësaj jave do të jemi në proces të konstituimit të organeve, do të jemi konstruktivë në frymën themeltare të LDK’së, përfshirë edhe të Presidentit Rugova dhe të secilit veprimtar që kontribuon në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e institucioneve të Kosovës, dhe jo në rrënimin e tyre”, deklaroi Abdixhiku.

Ndërkohë, kreu i LDK’së tha se do ta dërgojë edhe zyrtarisht kërkesën për takimin e së premtes me Kurtin dhe Osmanin.

“Ne do t’i dërgojmë edhe zyrtarisht një letër të shkruar, ashtu siç e kemi marrë sot, por propozimi jonë është për ditën e premte të kësaj jave”, ka deklaruar Abdixhiku.

(Kosova Sot Online)