Glauk Konjufca pritet të emërohet në njërën nga tri pozitat më të rëndësishme të shtetit

  • G.G /
  • 16 March 2021 - 13:07
Glauk Konjufca pritet të emërohet në njërën nga tri pozitat më të rëndësishme të shtetit

Glauk Konjufca pritet ta udhëheq njërin nga tri institucionet më të rëndësishme të vendit.

Media mëson se Konjufca do të jetë i propozuari i LVV-së për kryetar të Kuvendit të Kosovës, ani pse një opsion që gjithashtu mund të ndodhë është edhe propozimi i tij si Ministër i Punëve të Jashtme, post ky që Konjufca e kishte mbajtur edhe më herët.

Konjufca ishte në krye të organit më të lartë ligjvënës pas zgjedhjeve të 6 tetor 2019, kur LVV doli partia e parë në garën e ngushtë me LDK-në.

Pozita e Konjufcës ishte bërë tepër e rëndësishme për zhbllokimin e negociatave LVV-LDK, me këta të fundit që e kërkonin me çdo kusht këtë pozitë.

Pas marrëveshjes së koalicionit me LDK-në, Konjufca u tërhoq nga pozita e kryeparlamentarit, për t’ia lënë vendin Vjosa Osmanit.

Konjufca në Qeverinë Kurti ishte ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Në opinion tashmë kanë dalë disa emra si ministra potencial në Qeverinë e re që sipas të gjitha gjasave do të votohet javën tjetër, megjithatë, nga LVV-ja dhe Lista “GUXO” e Vjosa Osmanit nuk kanë konfirmuar deri më tani asgjë zyrtarisht.

Se a mund të jetë e propozuara e LVV-së për kryeparalmentare është pyetur sot edhe Arbërie Nagavci që në legjislaturën e kaluar kishte mbajtur pozitën e nënkryetares së Kuvendit.

Ajo nuk e ka mohuar këtë, duke thënë se në LVV janë duke shqyrtuar pozicionet, e se ajo e të tjerët do të emërohen aty ku konsiderohet se kontribuojnë më shumë.

“Në Lëvizje jemi duke i shqyrtuar të gjitha pozicionet, nuk është se e kemi vendosur se kush do të jetë, unë do të jemi aty ku konsiderohet se mund të kontribuojmë më shumë. Ekipi i LVV-së do të jetë shumë profesionist me persona kompetentë në të gjitha pozitat”, ka thënë Nagavci.

(Kosova Sot Online)