MPJD i jep leje Petar Petkoviqit të hyjë në Kosovë

  • E.K /
  • 16 March 2021 - 14:56
 MPJD i jep leje Petar Petkoviqit të hyjë në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i ka dhënë leje drejtorit të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, që të qëndrojë në Kosovë për dy ditë.

Kjo është konfirmuar nga MPJD-ja përmes një komunikate për media.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka aprovuar kërkesën e Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, për lejim të hyrjes në Republikën e Kosovës të zyrtarit serb, Petar Petkoviq, për datat 16-17 mars 2021”, thuhet në komunikatë.

Tutje, bëhet e ditur se kërkesa është bërë bazuar në marrëveshjen për vizat zyrtare të nënshkruar në Bruksel në vitin 2014.

“MPJD e Republikës së Kosovës kërkon që gjatë kësaj vizite të respektohet protokolli dhe agjenda nga ana e z. Petkoviq, si dhe të përmbahet nga deklaratat politike, gjuha nxitëse dhe nga retorikat kundër shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ministria e Jashtme dhe Diasporës ka deklaruar se mosrespektimi i agjendës dhe deklaratat kundër shtetësisë së Kosovës, do të ndikojnë në refuzimin e vizitave tjera nga Serbia.

“Mosrespektimi i agjendës dhe deklaratat politike kundër shtetësisë së Republikës së Kosovës do të ndikojnë në refuzimin e vizitave të tjera nga Serbia”, thuhet në deklaratën e MPJD’së.

(Kosova Sot Online)