Theret 16 herë me thikë blogeri që e kritikon qeverinë e Azerbajxhanit

  • E.K /
  • 17 March 2021 - 10:33
 Theret 16 herë me thikë blogeri që e kritikon qeverinë e Azerbajxhanit

Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve ka bërë thirrje për hetim të plotë rreth sulmit më të fundit ndaj një blogeri azer në ekzil, i cili njihet për kritikat ndaj qeverisë së vendit të tij.

Mahammad Mirzali, i cili e menaxhon kanalin “Made in Azerbaijan” në YouTube, u rrah dhe u ther me thikë të dielën nga një grup i burrave në Francë, tha të martën grupi për mbrojtjen e gazetarëve, që e ka bazën në Nju Jork.

Sipas këtij grupi, Mirzali u sulmua nga gjashtë burra përderisa ishte duke ecur në qytetin francez, Nantes. Ai u ther me thikë së paku 16 herë dhe tash për tash ndodhet në spital me lëndime serioze, shkruan Free Europe.

“Autoritetet franceze duhet që shpejt ta hetojnë sulmin me thikë ndaj blegërit azer në ekzil, Mahammad Mirzali, t’i gjejnë autorët dhe ata që e urdhëruan sulmin dhe t’i sjellin para drejtësisë”, tha Gulnoza Said nga Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Mirzali ka 265.000 ndjekës në kanalin e tij në YouTube dhe publikon përmbajtje kundërshtuese ndaj presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev. Ai gjithashtu raporton për korrupsionin dhe problemet tjera. Mirzali u largua nga atdheu më 2016 për shkak të aktivizmit politik.

Kjo nuk është hera e parë që ky bloger bëhet cak i sulmeve. Më herët këtë vit, dikush e shantazhoi në WhatsApp, duke i thënë se nëse nuk i ndal aktivitetet, do t’ia publikojë fotografitë intime të motrës së tij dhe bashkëshortit të saj. Kur Mirzali e refuzoi këtë, fotografitë u publikuan.

Në një incident tjetër serioz në tetor të vitit të kaluar, burra të panjohur qëlluan me armë drejt këtij personi në atë që u cilësua si tentim i qartë për vrasje.

(Kosova Sot Online)