Alon Ben-Meir: Hapja e ambasadës në Jerusalem është mesazh për pesë vendet e BE-së, pavarësia e Kosovës veç po rritet

  • E.K /
  • 17 March 2021 - 10:46
 Alon Ben-Meir: Hapja e ambasadës në Jerusalem është mesazh për pesë vendet e BE-së, pavarësia e Kosovës veç po rritet

Profesori amerikan në Universitetin e New York-ut dhe ekspert për çështjet e Ballkanit, Alon Ben-Meir, tha se vendosja e marrëdhënieve të plota diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit dhe hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem është shumë e rëndësishme, veçanërisht për Kosovën.

Ben-Meir tha se ky vendim i Kosovës i çon mesazh të qartë vendeve të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

“Kjo njohje i dërgon një mesazh të qartë bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht pesë vendeve të BE-së që kundërshtojnë sovranitetin e saj, se legjitimiteti dhe pavarësia e Kosovës vetëm sa po rriten”, shkroi Ben-Meir në Facebook.

Ai tha se herët a vonë realiteti i situatës do të kuptohet, “dhe do të jetë e dobishme për të gjithë që njohje të tilla të arrijnë shpejt”.

Të hënën është bërë përurimi i Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Në ceremoni ka marrë pjesë E Ngarkuara me Punë e Republikës së Kosovës në Izrael, Ines Demiri dhe Shefi i Protokollit të Shtetit i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izrealit, Gil Haskel.

Haskel i ka uruar mirëseardhje Demirit, duke ia dhuruar asaj kartelën identifikuese të diplomates. Zyrtari izraelit ka thënë se ka qenë privilegj përurimi zyrtar i Ambasadës së parë të Republikës së Kosovës në Jerusalem.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar të dielën se është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Izrael me seli në Jerusalem, si pjesë e Marrëveshjes së arritur në Washington, të nënshkruar në shtator të vitit që shkoi.

(Kosova Sot Online)