Joe Bideni ndryshon qëndrimin për imigrantët: Mos ejani në ShBA

  • E.K /
  • 17 March 2021 - 11:31
Joe Bideni ndryshon qëndrimin për imigrantët: Mos ejani në ShBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, si duket e ka ndryshuar pak qëndrimin në lidhje me imigrantët e huaj, duke u thënë që të mos shkojnë në Shtetet e Bashkuara. Ai vazhdimisht e kishte kritikuar paraardhësin Donald Trump për politikat e ashpra kundër imigrantëve.

“Mund të them goxha qartë: Mos ejani. Mos e braktisni qytezën, qytetin apo komunitetin tuaj”, tha presidenti amerikan në një intervistë për televizionin ABC, duke iu referuar imigrantëve.

Ai tha se nuk beson që retorika e tij e ka nxitur rritjen e numrit të imigrantëve që po mundohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, shkruan Daily Mail.

Ekipi i presidentit të ri është duke u përballur me rritje të numrit të imigrantëve në kufirin me Meksikën. Kjo çështje, bashkë me pandeminë, po cilësohet si një ndër sfidat më të mëdha të administratës amerikane në 100 ditët e para të qeverisjes.

Sekretari për Siguri Kombëtare, Alejandro Mayorkas, tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë në rrugë për ta regjistruar numrin më të lartë të njerëzve të ardhur në kufirin jugor në 20 vitet e fundit.

Numri i imigrantëve që po ndalohen në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara është rritur vazhdimisht nga prilli i vitit të kaluar, ndërsa edhe administrata e Bidenit po e vazhdon dëbimin e shumicës së të rriturve që janë të vetëm dhe familjeve sipas një urdhri të Trumpit, që ishte dhënë në fillim të pandemisë.

Shteteve të Bashkuara u ka lindur problem edhe me fëmijët imigrantë të pashoqëruar nga prindërit apo kujdestarët. Tash për tash në ndalim janë duke u mbajtur mbi 4.000 fëmijë imigrantë.

(Kosova Sot Online)