McAllister: Edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet t’ua mundësojmë lëvizjen nëpër Evropë me certifikatën e vaksinimit

  • E.K /
  • 17 March 2021 - 15:17
 McAllister: Edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet t’ua mundësojmë lëvizjen nëpër Evropë me certifikatën e vaksinimit

Kryetari i Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, ka propozuar që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në proceset me të cilat liria e lëvizjes brenda Evropës rikthehet gradualisht përmes “certifikatës së vaksinimit” të planifikuar që të përgatitet për të siguruar lëvizjen e lirë brenda Bashkimit Evropian për ata që kanë marrë vaksinën kundër koronavirusit.

“Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor plotësojnë kushtet e nevojshme, ne duhet të bëjmë gjithçka për t’i përfshirë – përveç 27 vendeve të BE-së – në lëvizjen e lirë në të gjithë zonën Shengen”, thotë McAllister.

Lidhur me propozimin e Komisionit Evropian për lëshimin e certifikatave dixhitale të gjelbërta për udhëtime brenda BE-së, ai theksoi se ka shumë gjëra që duhet të bëhen dhe konsiderohen në atë drejtim kur bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo nuk është vetëm çështje politike, por edhe një çështje shumë teknike ku BE do të dëgjojë mendimet e ekspertëve nga Agjencia Evropiane e Barnave nëse plotësohen standardet e nevojshme në vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha McAllister.

Ai theksoi se vaksinimi kundër koronavirusit është thelbësor për t’i dhënë fund pandemisë, një kthim gradual në normalitet, por edhe për ruajtjen e “mënyrës evropiane të jetës”, e cila përfshin lirinë për të udhëtuar në të gjithë Evropën.

(Kosova Sot Online)