Ky vend “pushtohet” nga minjtë, tre pacientë kafshohen në spitale

  • E.K /
  • 18 March 2021 - 09:16
Ky vend “pushtohet” nga minjtë, tre pacientë kafshohen në spitale

Së paku tre persona janë kafshuar nga minjtë në spitalet rajonale në Australi. Fermerët po e luftojnë numrin e madh të brejtësve dhe situatën po e përshkruajnë si “murtajë absolute” që ka përfshirë zonat rurale dhe rajonale.

Pjesë të mëdha të rajonit të Uellsit të Ri Jugor janë “pushtuar” nga minjtë, të cilët janë futur edhe nëpër shtëpi, spitale dhe hotele, shkruan The Guardian.

Spitalet e këtij rajoni i kanë shtuar masat për vendosjen e kurtheve dhe i kanë mbyllur dyert e dritaret për t’u mbrojtur nga gjallesat e padëshirueshme.

“Tri raporte të pacientëve që kanë pësuar kafshime të lehta janë paraqitur dhe trajtimi i duhur është ofruar. Përhapja e tanishme e minjve në Uellsin e Ri Jugor është dukuri natyrore”, tha një zëdhënëse e autoriteteve lokale shëndetësore.

Fermerët në tërë rajonin po detyrohen të luftojnë në mënyra të ndryshme kundër minjve. Një fermer e ka marrë miratimin që të shpërndajë helm përmes dronit për t’i mbytur minjtë.

Një fermer, i quajtur Alan Brown, tha se një fermer tjetër me të cilin ka biseduar ka humbur të mbjella me vlerë prej 200 mijë deri në 300 mijë dollarë si pasojë e përhapjes së minjve.

(Kosova Sot Online)