Amnesty: Kina po i dërgon me forcë në jetimore fëmijët e ujgurëve

  • G.G /
  • 19 March 2021 - 12:28
Amnesty: Kina po i dërgon me forcë në jetimore fëmijët e ujgurëve

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, ka thënë se Kina i ka ndarë me forcë familjet ujgure duke ua marrë fëmijët dhe duke ua dërguar në jetimore shtetërore.

Në një raport të ri, kjo organizatë i bëri thirrje Kinës që të lirojë të gjithë fëmijët ujgurë që po i mban në jetimore pa pëlqimin e familjeve të tyre.

Punëtorët e kësaj organizate kanë biseduar me prindërit që i kanë lënë fëmijët me familjarët në Kinë, kur u detyruan të largoheshin nga vendi, shkruan BBC.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se Kina ka ndaluar mbi një milion ujgurë, të cilët po i mban në kampe. Qeveria kineze akuzohet edhe për disa lloje tjera të shkeljeve të të drejtave të njeriut kundër pakicës ujgure dhe pakicave tjera myslimane, përfshirë punën e detyrueshme, sterilizimin e detyrueshëm, abuzimet seksuale dhe dhunimin seksual.

Mihriban Kader dhe Ablikim Memtinin ikën nga rajoni Xinjiang dhe shkuan në Itali në vitin 2016 pasi u frikësuan nga policia dhe iu bë trysni për t’i dorëzuar pasaportat, tha organizata Amnesty International. Ata i lanë katër fëmijët e tyre nën kujdesin e gjyshërve, por gjyshja u dërgua në kamp, ndërsa gjyshi u mor në pyetje nga policia.

Në nëntor të vitit 2019, Mihribani dhe Ablikimi morën leje nga qeveria italiane që t’i marrin fëmijët në Itali, por ata më parë i kishte marrë policia kineze gjatë rrugës dhe i kishte dërguar në jetimore të menaxhuar nga shteti.

“Tani fëmijët e mi janë në duart e qeverisë kineze dhe nuk jam e sigurt nëse do të mund t’i shoh ata përsëri gjatë jetës sime”, tha Mihriban.

Raporti i organizatës i bën thirrje Kinës që të ofrojë qasje të plotë dhe të pakufizuar të ekspertëve të të drejtave të njeriut nga OKB-ja, hulumtuesve të pavarur dhe gazetarëve në rajonin Xinjiang, ndërsa të gjithë fëmijët që janë marrë pa pëlqimin e prindërve t’u kthehen familjeve.

(Kosova Sot Online)