Kryetari i Gjykatës Supreme takon ambasadoren holandeze Lobbezoo, ja çfarë diskutuan

  • E.K /
  • 19 mars 2021 - 13:13
 Kryetari i Gjykatës Supreme takon ambasadoren holandeze Lobbezoo, ja çfarë diskutuan

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka pritur sot në takim ambasadoren e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo, me të cilën kanë diskutuar sfidat dhe problemet me të cilat po përballet sistemi gjyqësor në vend dhe mundësitë për mbështetje nga ana e shtetit të Holandës.

Kryetari Peci e njoftoi ambasadoren Lobbezoo me efikasitetin në zgjidhjen e lëndëve në Gjykatë Supreme, kompetencat ekskluzive të Gjykatës, për nxjerrjen e mendimeve juridike, qëndrimeve parimore dhe udhëzuesve, ku me këta të fundit është punuar posaçërisht në fushën e veprave të natyrës së korrupsionit.

Kreu i Supremes, potencoi para ambasadores nevojën e ndryshimeve urgjente në politikën ndëshkimore, pasi, posaçërisht për veprat penale të korrupsionit, dënimet janë të ulëta.

Në këtë drejtim, ai njoftoi ambasadoren, se së fundmi ka zhvilluar takime nëpër të gjitha gjykatat, me gjyqtarë të degëve penale.

Ambasadorja Lobbezoo u njoftua edhe me ndryshimet e fundit që do të ndodhin në strukturën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pas emërimit të anëtarëve të rinj, nga Gjykata Supreme dhe ajo e Apelit, ndryshimet që priten nga KGJK, rregulloret e reja etj..

Përveç reformës në gjyqësor, përfshirë procesin e vetingut, bashkëbiseduesit diskutuan edhe për rolin e Gjykatës Supreme gjatë procesit të fundit zgjedhor, lidhur me shqyrtimin e ankesave administrative.

(Kosova Sot Online)