Albin Kurti kërkon që Lumi Vjosa të shpallet “Park Kombëtar”

  • E.K /
  • 22 March 2021 - 09:34
 Albin Kurti kërkon që Lumi Vjosa të shpallet “Park Kombëtar”

Kreu i LVV-së, Albin Kurti pak orë para seancës konstituive të legjislaturës së tetë ka zgjedhur që të shkruaj për ditën botërore të Ujit.

Në një shkrim në Facebook ai ka thënë se i bashkohet thirrjes së qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, aktivistëve lokal dhe ndërkombëtar, kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 25 prillit dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që Qeveria e Shqipërisë të shpall lumin Vjosa Park Kombëtar dhe të heq dorë nga të gjitha planet për ndërtimin e hidrocentraleve të reja.

“Vjosa, lumi që lidh Shqipërinë me Evropën, është pasuri e trashëgimi jo vetëm kombëtare por edhe evropiane. Kanione të mrekullueshme, rrjedha të vrullshme e të papengueshme, ekosistem unik dhe 1,100 speciet që strehohen në të e bëjnë Vjosën lumin më të veçantë në Evropë.  Pavarësisht kërkesave të banorëve, angazhimit të aktivistëve dhe rezolutës së Parlamentit Evropian për të shpallur Vjosën park kombëtar akoma nuk është bërë asgjë. Vjosa mbetet lumi i fundit i “egër” në kontinentin e Evropës i cili është i paprekur nga dora e njeriut dhe duhet të mbetet i tillë”, ka shkruar Kurti.

“Njëjtë sikurse në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë qeveritë, pavarësisht kundërshtimeve publike e protestave të banorëve, kanë bërë presion të vazhdueshëm për ndërtim të hidrocentraleve. Në shpërputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, qeveritë në Kosovë kanë mundësuar ndërtimin e hidrocentraleve të vogla duke prishur burimin e lumenjve ekzistues. Investime të tilla afatshkurtra për përfitime të shpejta materiale individuale, pa llogaritur fare dëmet afatgjate ekologjike dhe ndikimet negative në mirëqenien e komuniteteve, nuk do të bëhen më.  Tani është momenti që bashkë në Kosovë e në Shqipëri të mbrojmë ato pasuri natyrore që kanë mbetur pa u prekur e dëmtuar e t’i restaurojmë e rikthejmë ato që tashmë na i kanë degraduar”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)