Albin Kurti tregon katër parimet e tij për dialogun: S’mund të ketë Asociacion një-etnik

  • E.K /
  • 22 March 2021 - 11:30
Albin Kurti tregon katër parimet e tij për dialogun: S’mund të ketë Asociacion një-etnik

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili sot pasdite pritet të zgjidhet kryeministër, ka marrë pjesë në një diskutim për dialogun, të organizuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur për ta parë prespektivën e Qeverisë në ardhje lidhur me këtë çështje.

Kurti ka thënë se në dialog s’ka nevojë të negociohet për çështje që garantohen me Kushtetutë, ndërsa ka theksuar se nuk mund të themelohet Asociacion njëetnik.

“Neni 44 i Kushtetutës garanton lirinë e asocimit, por nuk ka nevojë të negociohet për diçka që garantohet me Kushtetutë. Nuk mund të kemi Asociacion njëetnik- e thotë edhe Gjykata Kushtetuese. Mund të ketë Asociacion të komunave të bjeshkës së Rugovës, maleve të Sharrit, etj., por jo njëetnik”, ka thënë Kurti në këtë tryezë.

Ai ka përmendur edhe katër parime, sipas të cilave ai thotë se duhet të zhvillohet procesi i dialogut me Serbinë.

“Katër parime: Një, duhet pranuar realiteti; dy, duhet pranuar e vërteta; tre, të ulemi si të barabartë; katër, të përfitojnë qytetarët”, ka thënë Kurti.

Bashkimi Evropian dje ka ritheksuar se Kosova duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e parandalon këtë.

(Kosova Sot Online)