Fitore jobindëse e Netanyahut, pritet vazhdimi i krizës politike në Izrael

  • E.K /
  • 24 March 2021 - 12:04
 Fitore jobindëse e Netanyahut, pritet vazhdimi i krizës politike në Izrael

Sipas rezultateve të hershme të zgjedhjeve të katërta në Izrael brenda dy vjetësh, vendi do të vazhdojë të mbetet në krizë politike për shkak të rezultatit të ngushtë mes dy blloqeve kryesore. Kryeministri Benjamin Netanyahu mund ta synojë formimin e një koalicioni me nacionalistët ekstremistë si dhe partitë religjioze e partitë e së djathtës ekstreme.

Pas numërimit të gati 90 për qind të votave, partia e Netanyahut, Likud, deri më tani ka siguruar 30 ulëse në kuvend, ndërsa shefi i opozitës, Yair Lapid, ka vetëm 17 ulëse, shkruan The Guardian.

Megjithatë, Netanyahu dhe Lapidi do të jenë të detyruar që t’i bindin partitë rivale për të siguruar shumicë parlamentare me 61 ulëse. Kjo mundësi është në dyshim për të dy politikanët dhe vendi mund të mbetet në krizë politike, duke mos e përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të pesta për një periudhë të shkurtër.

Sipas parashikimeve, për të pasur sukses për formimin e qeverisë, Netanyahu duhet të bëjë akrobacione politike duke i bërë bashkë të djathtët me një parti të vogël islamike.

Duke folur në Jerusalem, Netanyahu tha se do të përpiqet të formojë një qeveri stabile. “E shtrij dorën për të gjithë (anëtarët e kuvendit) që besojnë në këtë rrugë. Nuk e përjashtoj askënd. Pres që të gjithë që besojnë në parimet tona të veprojnë në mënyrë të ngjashme”, deklaroi ai.

(Kosova Sot Online)