Pas reagimeve, Merkeli pritet të heqë dora nga mbyllja për Pashkë

  • E.K /
  • 24 mars 2021 - 12:54
 Pas reagimeve, Merkeli pritet të heqë dora nga mbyllja për Pashkë

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, dhe udhëheqësit rajonalë të Gjermanisë pritet të heqin dorë nga plani për të cilin u morën vesh një ditë më parë për dy ditë shtesë të mbylljes në kohën e Festës së Pashkëve, thanë të mërkurën burimet qeveritare.

Gjatë bisedimeve që vazhduan deri në orët e hershme të së martës, kancelarja gjermane dhe udhëheqësit rajonalë të 16 rajoneve u morën vesh që t’u bëjnë thirrje qytetarëve për të qëndruar në shtëpi pesë ditë në kohën e Festës së Pashkëve, duke i shpallur 1 prillin dhe 3 prillin si ditë pushimi shtesë.

Merkeli, e cila dëshironte masa edhe më të ashpra për luftimin e pandemisë, thirri një takim të papritur me udhëheqësit rajonalë për të mërkurën në mëngjes për të diskutuar rreth situatës, shkruan Reuters.

Takimi për gjendjen e krizës ndodhi në kohën e zemërimit të shtuar të gjermanëve rreth procesit të ngadalshëm të vaksinimit dhe zgjatjes së masave kufizuese nga qeveria.

Gjatë bisedimeve që u zhvilluan në fillim të kësaj jave, Merkeli bëri thirrje për ndryshim të planeve për rihapje graduale të ekonomisë, për ç’gjë ishte arritur marrëveshje më herët këtë muaj. Qëndrimi i kancelares erdhi pas rritjes së konsiderueshme të numrit të rasteve me Covid-19.

Megjithatë, kryeministrat rajonalë nuk e përkrahën këtë propozim, duke u pajtuar vetëm që t’u bëjnë thirrje qytetarëve për të qëndruar në shtëpi për pesë ditë gjatë Pashkëve.

Kjo masë u kritikua nga të gjitha anët. Bizneset e kundërshtuan zgjatjen e afatit të masave, ndërsa ekspertët mjekësorë thanë se masat nuk janë të mjaftueshme për ta ndalur përhapjen e varianteve më ngjitëse të koronavirusit.

(Kosova Sot Online)