LDK përkujton avokatin Bajram Kelmendi në 22 vjetorin e vrasjes

  • E.K /
  • 25 March 2021 - 10:07
 LDK përkujton avokatin Bajram Kelmendi në 22 vjetorin e vrasjes

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, e ka përkujtuar avokatin Bajram Kelmendi dhe dy bijtë e tij Kushtrimin dhe Kastriotin, në 22 vjetorin e vrasjes.

Me këtë rast Abdixhiku tha se ky krim i tmerrshëm vazhdon të mos e gjejë ndëshkueshmërinë.

Ai tha se Bajram Kelmendi, ishte veprimtar i lirisë në përpjekje të pashtershme për të denoncuar krimet e kohës nga regjimi i Millosheviqit.

“Sot bëhen njëzet e dy vite nga vrasja e Avokatit të shquar kosovar, Bajram Kelmendi dhe dy bijve të tij, Kastriotit (30 vjeç) dhe Kushtrimit (16 vjeç). Ky krim i tmerrshëm i kryer nga forcat serbe në Prishtinë – në natën e nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet Jugosllave – vazhdon të mos gjejë ndëshkueshmërinë e kërkuar tash e 22 vjet”.

“Bajram Kelmendi ishte veprimtar i lirisë në përpjekje të pashtershme për të denoncuar krimet e kohës nga regjimi i Millosheviçit dhe forcat serbe mbi popullsinë shqiptare në Kosovë. Familja Kelmendi do të kujtohen gjithmonë me nderim të veçantë për sakrificën e madhe në altarin e lirisë. LDK dhe Republika e Kosovës do t’i mbajë në kujtesë e nderim të përhershëm Bajramin, Kastriotin e Kushtrimi”.

(Kosova Sot Online)