Aleksander Vuçiq: Kurti po thotë se s’ka Asociacion, por ne nuk jemi aq të dobët sa dikur

  • E.K /
  • 25 March 2021 - 10:48
 Aleksander Vuçiq: Kurti po thotë se s’ka Asociacion, por ne nuk jemi aq të dobët sa dikur

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha mbrëmë se nuk u duhet njohja reciproke me Kosovën.

Vuçiq përmendi idenë e bashkimit të Kosovës me Serbinë, ndërsa theksoi edhe deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti kundër krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Sot, kur dëgjojmë idenë se Kosova na njeh dhe se ne e njohim Kosovën. Nuk na duhet ajo njohje. Ju nuk do të shkeleni mbi të kaluarën dhe të ardhmen tonë. Edhe sot, kur ata na kërcënojnë me formimin e “Shqipërisë së Madhe” dhe thonë se nuk ka Asociacion, ne po themi që nuk jemi aq të dobët sa dikur. Serbia nuk është dhe nuk do të jetë një grusht tërshëre për çdo sorrë të botës së bardhë që dëshiron ta hajë atë”, u shpreh Vuçiq.

Ai tha se Serbia synon të ndërtojë një të ardhme të sigurt ku askush nuk i sulmon fëmijët.

“Ne punojmë dhe ndërtojmë dhe duam të jemi të vetëm të sigurt, askush nuk do të sulmojë më fëmijët tanë, ne duam të jemi të lirë”, tha Vuçiq.

Të hënën, para seancës ku u zgjodh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në një diskutim për dialogun, të organizuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur për ta parë prespektivën e Qeverisë së re lidhur me këtë çështje. Aty kreu i Qeverisë tha se s’mund të ketë as Asociacion të komunave me shumicë serbe, të cilin Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kërkojnë Kosovës që ta themelojë sa më shpejt.

“Neni 44 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës garanton lirinë e asocimit, prandaj besoj që nuk ka nevojë të negociohet për diçka që ne e kemi të garantuar me Kushtetutë. Kapitulli i dytë i Kushtetutës normon të drejtat dhe liritë themelore. Në anën tjetër, nuk mund të kemi Asociacion njëetnik- e thotë edhe Gjykata Kushtetuese. Mund të ketë Asociacion të komunave të bjeshkës së Rugovës, maleve të Sharrit, etj., por jo njëetnik”, ka thënë Kurti në këtë tryezë.

(Kosova Sot Online)