Albin Kurti planifikon të shkojë në SHBA sa më shpejt që është e mundur

  • E.K /
  • 25 March 2021 - 12:12
 Albin Kurti planifikon të shkojë në SHBA sa më shpejt që është e mundur

Albin Kurti planifikon ta bëjë një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa më shpejt që është e mundur. Këtë, kryeministri i ri i Kosovës e tha në një postim në Twtitter, ku njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me senatoren amerikane, Joni Ernst.

Përveç forcimit të bashkëpunimit, Kurti tha se me Ernst kanë rënë dakord që ta vizitojnë njëri-tjetrin sa më shpejt që është e mundur.

“Ne ramë dakord të forcojmë bashkëpunimin tonë dhe të vizitojmë njëri-tjetrin sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar Kurti.

“Ishte kënaqësi të bisedoj me senatoren Joni Ernst, e cila është përkrahëse e palëkundur e Kosovës në Senatin e ShBA-së. Ajo është nënkryetare e Konferencës Republikane të Senatit dhe bashkudhëheqëse e Grupit të Senatit për Çështjet Shqiptare. Ajo ka luajtur rol jetik në forcimin e Forcave tona të Sigurisë”, shkroi Kurti paraprakisht.

Tutje, Kurti tha se e ka falenderuar atë për përkrahjen e FSK-së.

“E falënderova atë për përkrahjen e vazhdueshme për Forcat tona të Sigurisë, të cilat janë duke u transformuar në një ushtri profesionale, duke punuar në krah me Shtetet e Bashkuara për promovimin e paqes dhe stabilitetit në botë”, thuhet në postimin e kryeministrit të Kosovës.

(Kosova Sot Online)