Universiteti amerikan paguan mbi 1 miliard dollarë sherri i gjinekologut përdhunues

  • E.K /
  • 26 March 2021 - 10:25
 Universiteti amerikan paguan mbi 1 miliard dollarë sherri i gjinekologut përdhunues

Universiteti i Kalifornisë Jugore në Shtetet e Bashkuara është pajtuar që t’ua paguajë më shumë se 1 miliard dollarë pacienteve që ishin trajtuar nga një gjinekolog i akuzuar për abuzime seksuale e që ishte pjesë e këtij universiteti.

Ky është dëmshpërblimi më i lartë që është dhënë ndonjëherë për abuzim seksual në historinë e shkollimit të lartë në Shtetet e Bashkuara, shkruan BBC.

George Tyndall u arrestua në vitin 2019 dhe kundër tij u ngrit aktakuza për sulm seksual ndaj 16 pacienteve, ndonëse ai i ka mohuar akuzat.

Mbi 350 gra janë rrëfyer rreth përvojave të tyre me këtë gjinekolog. Mjeku tashmë 74-vjeçar po e pret gjykimin. Gjykatësit e një grupi prej 710 grave që e paditën universitetin i thanë një gjykatësi në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit se kanë arritur marrëveshje për pretendimet e tyre për 852 milionë dollarë dëmshpërblim.

Universiteti i Kalifornisë Jugore në vitin 2018 ishte pajtuar që të paguajë 215 milionë dollarë dëmshpërblim në një rast tjetër.

“Më vjen thellësisht keq për dhimbjen e përjetuar nga anëtaret e çmuara të komunitetit të Universitetit të Kalifornisë Jugore”, tha rektorja Carol Folt. “Ne e çmojmë guximin e të gjithë atyre që u paraqitën dhe shpresojmë se kjo zgjidhje shumë e nevojshme u ofron ca lehtësim grave”, shtoi ajo.

Kjo është pagesa më e lartë e këtij lloji nga universitetet amerikane. Universiteti Shtetëror i Michiganit në të kaluarën ka paguar 500 milionë dollarë dëmshpërblim për abuzimet seksuale të Larry Nasser ndaj disa personave.

(Kosova Sot Online)