Kryeministri Kurti për zgjedhjen e presidentit: Do ta kryejmë edhe hapin e tretë për konstituimin e institucioneve

  • E.K /
  • 26 March 2021 - 12:29
Kryeministri Kurti për zgjedhjen e presidentit: Do ta kryejmë edhe hapin e tretë për konstituimin e institucioneve

Kryeministri Albin Kurti së bashku me deputeten Vjosa Osmani kanë vizituar sot Krushën e Madhe në 22 vjetorin e masakrës në këtë fshat.

Atje Kurti është pyetur edhe për thirrjen e seancës për zgjedhjen e presidentit.

Kurti tha se edhe ky hap i konstituimit do të kryhet, duke mos dhënë më shumë detaje se kur do të thirrët kjo seancë.

“Do ta kryejmë edhe hapin e tretë shumë të rëndësishëm të konstituimit të institucioneve të legjislaturës së tetë, por sot këtu me presidenten në ardhjen jemi këtu për t’i kujtuar të rënët dhe martirët në Krushën e Madhe”, ka thënë Kurti.

Krusha e Madhe përkujton sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë.

22 vite më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

(Kosova Sot Online)