Philip Kosnett në takim me Glauk Konjufcën, kërkon nga partitë qëndrim konstruktiv për çështjen e presidentit

  • E.K /
  • 29 March 2021 - 13:53
 Philip Kosnett në takim me Glauk Konjufcën, kërkon nga partitë qëndrim konstruktiv për çështjen e presidentit

U.d i presidentit, Glauk Konjufca është takuar sot me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett derisa temë e diskutimit ka qenë edhe çështja e zgjedhjes së presidentit të ri.

Zyra e presidentit të Kosovës ka bërë të ditur përmes një komunikate për media se u.d i presidentit, Glauk Konjufca është takuar sot me ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett.

Në këtë komunikatë bëhet e ditur se Kosnett e ka uruar Konjufcën për detyrat e reja.

“Ambasadori Konsnett uroj u.d. Presidentin Konjufca për detyrat e reja si u.d. President dhe Kryetar i Kuvendit, duke i dëshiruar sukses dhe duke konfirmuar përkushtimin e tij dhe të ShBA-së për të bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje, sipas komunikatës, Konjufca ka deklaruar se duhet që sa më shpejt të ketë stabilitet institucional.

“Nga ana tjetër, u.d. Presidenti Konjufca ka falënderuar ambasadorin Kosnett dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe partneritetin e vazhdueshëm me Republikën e Kosovës. Z.Konjufca vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit dhe thellimit edhe të mëtutjeshëm të raporteve ndërmjet të të dy shteteve, duke konfirmuar përkushtimin e tij për një gjë të tillë. U.d. Presidenti Konjufca poashtu ka potencuar rëndësinë e stabilitetit institucional dhe konstituimit sa më të shpejtë të të gjitha institucioneve, si parakusht për zhvillim të proceseve me rëndësi për vendin”, thuhet në komunikatë.

Tutje, sipas njoftimit, Kosnett e ka potencuar rëndësinë e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

“Ambasadori Konsett potencoi rëndësinë e zgjedhjes së Presidentit të vendit, duke përmbyllur kështu konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ai theksoi nevojën për rol konstruktiv të të gjitha forcave politike në vend përgjatë këtij procesi, duke pasur parasysh interesin shtetëror para atij politik e partiak”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)