Britania reagon pas pezullimit të pjesshëm të vaksinës së AstraZeneca-s në Gjermani

  • E. /
  • 31 March 2021 - 10:43
 Britania reagon pas pezullimit të pjesshëm të vaksinës së AstraZeneca-s në Gjermani

Sekretari për komunitete i qeverisë britanike, Robert Jenrick, të mërkurën e mbrojti vaksinën e kompanisë AstraZeneca për Covid-19, pas vendimit të Gjermanisë për pezullimin e kësaj vaksine për personat më të rinj se 60 vjeç për shkak të shqetësimeve rreth mpiksjes së gjakut.

I pyetur se a ka nevojë që qeveria britanike ta rivlerësojnë vaksinën, ai deklaroi: “Jo, s’kemi nevojë, jemi 100 për qind të sigurt për efikasitetin e vaksinës, kjo është dëshmuar me studim pas studimi, nga rregullatorët tanë të pavarur të klasit botëror dhe nga hulumtimi i fundit, për shembull, i “Public Health England”, që ka treguar se mijëra jetë të njerëzve janë shpëtuar vetëm nga fillimi i këtij viti duke iu falënderuar programit tonë të vaksinimit.”

“Njerëzit duhet të vazhdojnë tutje, ta marrin vaksinën, unë sigurisht se do ta marr, kur të më vijë koha. Është vaksinë e sigurt dhe programi i vaksinimit i Britanisë po e shpëton jetën e njerëzve në mbarë vendin çdo ditë”, shtoi ai.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, dhe 16 ministrat rajonalë të kësaj fushe vendosën që ta pezullojnë përdorimin e kësaj vaksine për personat nën moshën 60-vjeçare gjatë një takimi emergjent të martën.

Më herët, Kanadaja gjithashtu e pezulloi këtë vaksinë për personat nën moshën 55-vjeçare. AstraZeneca ka thënë se rregullatorët ndërkombëtarë kanë vlerësuar se përfitimet e vaksinës ua marrin anën rreziqeve.

Vaksina e AstraZeneca-s është në mesin e vaksinave më të përdorura në Perëndim dhe është pjesë e programit COVAX për furnizimin e vendeve të varfra me vaksina për Covid-19. Me këtë vaksinë është furnizuar edhe Kosova.

(Kosova Sot Online)