Memli Krasniqi: Vendimi për mosvotimin e Vjosa Osmanit është final, sot mblidhemi për diçka tjetër

  • E.K /
  • 31 March 2021 - 14:02
 Memli Krasniqi: Vendimi për mosvotimin e Vjosa Osmanit është final, sot mblidhemi për diçka tjetër

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës , Memli Krasniqi ka thënë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është temë e mbyllur për PDK-në. Në një deklaratë dhënë për Express, Krasniqi ka thënë se vendimi për mosvotimin e Vjosa Osmanit është final.

“Tema e Presidentit është temë e mbyllur për PDK-në. Vendimi për mosvotimin e Vjosa Osmanit është marrë në Këshillin Drejtues dhe është final”, ka thënë ai.

Më tutje Krasniqi konfirmoi se sot do të ketë mbledhje të Grupit Parlamentar të PDK-së. Sipas tij në këtë mbledhje do të diskutohet vetëm për ndarjen e Komisioneve.

“Mbledhja e Grupit Parlamentar ka të bëjë me seancën për ndarjen e Komisioneve dhe jo me diçka tjetër”, ka thënë ai.

Në ndërkohë çështja e Presidentit, është tema më e diskutuar aktualisht në vend. Lëvizja Vetëvendosje që udhëheq me Qeverinë e Kosovës, është në kërkim të votave të duhura për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.

Partitë opozitare si PDK-ja dhe AAK-ja sipas qëndrimeve të deritanishme nuk do ta përkrahin Osmanin për këtë post. Në ndërkohë kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku dje pas takimit me grupin parlamentar të partisë, ka deklaruar se LDK-ja do të marr pjesë në procesin e votimit të presidentit.

“Pas një diskutimi të hapur, shterrës në argumente e gjithëpërfshirës, të gjithë, bashkarisht, kemi marrë vendim që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e  Presidentetit të vendit. Që LDK, si gjithëherë, do të ushtroj detyrimin e saj kushtetues, e të marrë pjesë në votim për Presidentin e vendit. Ky pra është vendimi i Kryesisë i votuar me shumicë absolute të anëtarëve të saj. Këtë vendim ua kam komunikuar sot, deputetëve të LDK-së. Pres që secili deputet të respektojë vullnetin kolektiv e të shumicës. Pres nga secili deputet të sillet si institucionalist; dhe nëse ka nevojë të kapërcejë edhe veten”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas Kushtetutës, president i Kosovës mund të zgjidhen vetëm shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë mbushur moshën tridhjetepesë (35) vjeçare dhe që kanë pasur banim të përhershëm në Kosovë për së paku dhjetë (10) vite. Sipas Nenit 4, Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë, sipas procedurës së paraparë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Zgjedhja e tij duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

Më tutje referuar Kushtetutës, secili shtetas i  Kosovës, që plotëson kriteret e parapara në nenin 3 të këtij ligji, mund të nominohet si kandidat për President të Republikës së Kosovës, nëse ai/ajo siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për President të Republikës së Kosovës.

Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.  Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës.

Sipas Kushtetutës nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.

Vjosa Osmani që ka garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit në koalicion me LVV-në e Albin Kurtit ka marrëveshje parazgjedhore që e njëjta të jetë propozim i tyre për president të vendit.

(Kosova Sot Online)