Në Gjakovë dhe Gjilan sot fillon vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë

  • E.K /
  • 02 April 2021 - 08:12
 Në Gjakovë dhe Gjilan sot fillon vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë

Sot do të fillojë vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë në Komunën e Gjakovës dhe Komunën e Gjilanit.

Procesi i vaksinimit me vaksinën atiCOVID-19 AstraZenca do të filloj në orën 08:00 në Qendrën e Mjekësisë Familjare Çabrati. Kështu kanë njoftuar nga zyra për informim e Komunës së Gjakovës.

Edhe nga Komuna e Gjilanit kanë njoftuar se sot personeli shëndetësorë i kësaj komune do të vaksinohen me vaksinën antiCOVID-19. M këtë rast do të mbahet Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, i cili do të mbahet në ora 10:00, te Qendra e Studentëve.

Pas takimit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri do të mbajë konferencë për media.

“Ju ftojmë të merrni pjesë në takimin e Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, i cili mbahet me fillim në ora 10:00, te Qendra e Studentëve. Pas takimit (10:10) kryetari Lutfi Haziri do të mbajë konferencë për media, për të vazhduar më pas me procesin e vaksinimit”, thuhet në komunikatën për media nga zyra e informimit të Komunës së Gjilanit.

Vaksinat antiCOVID-19 arritën në Kosovë në mbrëmjen e 28 marsit, për të filluar menjëherë të nesërmen me përgatitjet për të vaksinuar personelin shëndetësorë. I pari që mori vaksinën antiCOVID-19 ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Pas Kurtit, pra të hënën u vaksinua edhe zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Isme Humolli, infektologu i Klinikës Infektive, Sali Ahmti dhe aktori Selman Jusufi.

(Kosova Sot Online)