Rusia dërgon trena plot tanke e kamionë në Krime, alarmohet NATO-ja

  • S.A /
  • 03 April 2021 - 08:53
Rusia dërgon trena plot tanke e kamionë në Krime, alarmohet NATO-ja

usia ka dërguar mjetet të rënda ushtarake në Gadishullin e Krimesë, të cilin e kishte aneksuar me forcë nga Ukraina në vitin 2014. Ky veprim e ka shqetësuar NATO-n.

Sidoqoftë, Rusia e paralajmëroi këtë aleancë ushtarake kundër dërgimit të trupave për ta ndihmuar Ukrainën. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia do të merrte “masa shtesë”, nëse NATO-ja bën një hap të tillë.

Forcat e ShBA-së në Evropë janë vendosur në gjendje më të lartë gatishmërie, duke e cituar si arsye eskalimin e agresionit rus në këtë zonë, shkruan BBC.

Një zyrtar i NATO-s i tha agjencisë Reuters se Rusia është duke i minuar përpjekjet për zvogëlimin e tensioneve në lindje të Ukrainës dhe se ambasadorët e NATO-s janë takuar të enjten për të diskutuar për këtë situatë.

“Aleatët i ndajnë shqetësimet e tyre rreth aktiviteteve të gjera ushtarake të Rusisë kohën e fundit në Ukrainë dhe përreth saj”, deklaroi ky zyrtar. 

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, iu bashkua kritikave, duke thënë se ushtrimet ushtarake dhe provokimet e mundshme përgjatë kufirit janë lojëra tradicionale ruse.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i tha BBC-së se ka grumbullim të ushtrisë ruse në kufirin verior mes Ukrainës dhe Rusisë, përgjatë kufirit lindor dhe në Krimenë e pushtuar ilegalisht.

(Kosova Sot Online )