Një shteti i mbetet hatri pse Joe Bideni s’e ftoi në samitin për klimën: Kjo është katastrofë

  • E.K /
  • 03 April 2021 - 15:30
 Një shteti i mbetet hatri pse Joe Bideni s’e ftoi në samitin për klimën: Kjo është katastrofë

Qartazi i zemëruar për mungesën e ftesës nga Shtetet e Bashkuara për samitin e klimës, kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, tha të shtunën se nuk po mund ta kuptojë këtë gjë.

“Jam i hutur nga katastrofa e mosftimit të Pakistanit në konferencën për ndryshimet klimatike”, shkroi kryeministri pakistanez në rrjetet sociale, duke iu referuar takimit virtual të liderëve botërorë më 22 e 23 prill.

Khan tha: “Politikat mjedisore të Pakistanit udhëhiqen vetëm nga përkushtimi ynë ndaj gjeneratave të ardhshme dhe të një Pakistani të pastër e të gjelbër për ta luftuar ndikimin e ndryshimeve klimatike.”

“Politikat tona po njihen dhe po lavdërohen. Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë secilin shtet që dëshiron të mësojë nga përvoja jonë”, shtoi më tej Khan.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka ftuar 40 udhëheqës botërorë për të marrë pjesë në këtë samit, njoftoi Shtëpia e Bardhë javën e kaluar, por në këtë listë nuk ishte Pakistani, aleat i ShBA-së për një kohë të gjatë.

Khan tha se ai tashmë i ka paraqitur prioritetet për Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, nëse komuniteti ndërkombëtar është serioz për luftimin e ndikimit negativ të këtyre ndryshimeve.

(Kosova Sot Online)