Qendra e Studentëve kundër mbylljes së gastronomisë: Detyrohemi ta mbyllim edhe menzën

  • E.K /
  • 05 April 2021 - 12:20
 Qendra e Studentëve kundër mbylljes së gastronomisë: Detyrohemi ta mbyllim edhe menzën

Masat e reja anti-Covid që janë paralajmëruar se do të prezantohen sot nga Ministria e Shëndetësisë, mund të ndikojnë edhe në mbarëvajtjen e procesit mësimore të studentëve. Kjo, pasi nëse do të ketë mbyllje të lokaleve të gastronomisë, duhet të mbyllet edhe menza e studentëve.

Kështu ka deklaruar drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta.

Sfishta deklaroi se ende nuk ka asnjë informatë zyrtare rreth masave të reja anti-covid, por që në rast të mbylljes së gastronomisë, menza e studentëve nuk mund të funksionojë.

“S’kemi asnjë vendim për masa të reja, s’kemi vendim të qartë, përpos çka po lajmëroni ju mediat. Nëse merret vendim për mbyllje të gasatronomisë, ne duhet ta mbyllim menzën, nëse mbyllet menza studentët nuk kanë ku të ushqehen. Është vendim që ka reaksione zinxhir”, ka deklaruar Sfishta.

Sfishta tha se nëse lejohet shërbimi “merr me vete” është e mundur që edhe menza të funksionojë.

“Deri tash jemi duke funksionuar me rekomandimet që e i kemi pasur deri më tash. Nëse mbyllet gastronomia por lejohet “take aëay” mund të funksionojmë, ju japim me vete, nëse ka mbyllje totale duhet ta mbyllim edhe ne menzën. Studentët nuk i detyrojmë të shkojnë në shtëpi, por nuk kanë ku hanë bukë”. Ka deklaruar Sfishta.

Ndryshe, të shtunën ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka mbajtur një mbledhje virtuale me përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve.

Në atë takim është propozuar që për 12 ditë të mbyllen lokalet e gastronomisë, qendrat tregtare, palestrat dhe shkollat.

Kundër mbylljes kanë dalë gastronomët, pasi kanë deklaruar se ministri Vitia, nuk është koordinuar për masat e reja.

Po ashtu kundër këtyre masave kanë dalë edhe disa komuna, të cilat pas takimit virtual me ministrin e Shëndetësisë që kanë pasur të dielën, kanë deklaruar se i kanë kërkuar të mos ketë mbyllje, por respektim dhe mbikëqyrje rigoroze të masave që janë në fuqi.

(Kosova Sot Online)