Mjekëve nuk u lejohet që ta kontrollojnë Navalnyn, dyshohet se s’është mirë

  • E.K /
  • 07 April 2021 - 10:58
 Mjekëve nuk u lejohet që ta kontrollojnë Navalnyn, dyshohet se s’është mirë

Zyrtarët e burgjeve në Rusi nuk i kanë lejuar mjekët jashtë burgut për ta kontrolluar politikanin e burgosur, Aleksei Navalny, pasi u dërgua në repartin për të sëmurë me kollë të rëndë dhe temperaturë.

Anastasia Vasilyeva, mjeke e Navalnyt dhe kryetare e Aleancës së Mjekëve, u mundua ta shihte Navalnyn të martën, por tha se zyrtarët e burgut refuzuan që të takohen me të apo t’ia lejojnë hyrjen në burg.

Policia më vonë ndaloi mjeken e kryeopozitarit dhe nëntë përkrahës të tjerë që ishin grumbulluar para burgut. Në mesin e të ndaluarve ishin edhe tre gazetarë, përfshirë një korrespondent të televizionit amerikan, CNN.

Më vonë, gazetari dhe mjekja Vasilyeva u liruan. Aleanca e Mjekëve thotë se do të vazhdojë të protestojë para burgut derisa Navalny të lejohet për t’u kontrolluar nga mjekët e pavarur, shkruan Free Europe.

Përmes një postimi në Instagram, të publikuar nga përkrahësit e tij, Navalny tha disa ditë më parë se ka kollë të ashpër dhe temperaturë 38.1 gradë.

(Kosova Sot Online)