Edhe në Suharekë vaksinimi i personelit shëndetësor

  • E.K /
  • 07 April 2021 - 11:20
Edhe në Suharekë vaksinimi i personelit shëndetësor

Nga sot ka nisur vaksinimi kundër COVID-19 i personelit shëndetësor në komunën e Suharekës, pasi që kjo komunë është pajisur me 110 dozat e para të vaksinës AstraZeneca. Por në këtë komunë thonë se këto doza nuk janë të mjaftueshme për stafin shëndetësor të Suharekës. Vaksinimi në këtë komunë po bëhet në një hapësirë të veçantë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Drejtoresha e Shëndetësisë në komunën e Suharekës, Besa Kuqi tha se tashmë edhe në këtë komunë ka nisur vaksinimi i stafit mjekësor, por thotë se 110 doza e vaksinës AstraZeneca nuk janë të mjaftueshme për këtë kategori pasi kjo komunë ka 215 profesionistë shëndetësor.

 “Edhe në komunën e Suharekës ka filluar vaksinimi anti-COVID, respektivisht në këtë hapësirë këtu e kemi ndarë për vaksinimin që ka filluar si proces, edhe në ditët në vazhdim po vazhdojmë me këtë proces. Kështu i bëjë thirrje stafit shëndetësor të vaksinohen sepse janë të parët qe kanë kontakte me personat e prekur apo me ata me simptoma… stafi shëndetësor që pret për tu vaksinuar është 215, ne kemi pranuar vetëm 110 vaksina presim në vazhdim me na i sjell edhe pjesën tjetër ”, tha ajo.

Kuqi tha se me qëllim të vaksinimit sa më efikas kanë angazhuar të gjitha kapacitetet e tyre.

“Nëse eventualisht do të kemi një fluks më të madh të vaksinimit kemi paraparë një pjesë tjetër apo edhe sallën ‘11 Qershori’ ose edhe Bibliotekën e qytetit dhe në koordinim me drejtorinë e QKMF-së, dhe kryetarin ne do të jemi në dispozicion me të gjitha kapacitetet që i kemi për ta përfunduar këtë proces”, theksoi Kuqi.

Sanije Gashi e cila është pjesë e Urgjencës në këtë komunë ndjehej mirë pasi e mori vaksinën. Ajo kërkoi që ta marrin të gjithë vaksinën nëse duan ta shpëtojnë jetën e tyre.

 “Vaksinën e mora nuk ishte dicka rrezik, apo e trishtueshme shumë mirë kalova…nuk pata asnjë frikë u nisa me marr vaksinën dhe e mora..do thosha ta marrin vaksinën e gjithë popullata ta shpëtojnë vetën”, tha ajo.

Vaksinën anti-Covid në këtë komunë e mori edhe koordinatorja e Sistemit Informativ Shëndetësor, Valdete Krasniqi e cila në sistemin parësor në këtë komunë është edhe infermiere.

Ajo thotë se nuk ka hezituar ta marr këtë vaksinë.

“Vetëm sa e mora nuk mund të konkludoj se si po ndihem, por nuk kam pasur hezitim për ta marr… iu kisha rekomanduar të gjithë ta marrin vaksinën edhe qytetarëve por edhe profesionistëve tjerë shëndetësor”, u shpreh ajo.

E që nga dita e premte në disa komuna të Kosovës ka nisur vaksinimi i personelit shëndetësor. Më 28 mars Kosova nga COVAX-i i OBSH ka pranuar 24 mijë dozat e para të vaksinës AstraZeneca të cilat janë paraparë të jepen për profesionistët shëndetësor, kategoritë e të moshuarve mbi moshën 85 vjec dhe atyre me sëmundje kronike.

Deri tani mbi 3 mijë mjekë e infermierë janë vaksinuar kundër COVID-19. Ndërsa, si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve me COVID, nga sot kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID, që përfshinë mbylljen e gastronomisë ku lejohen vetëm shërbime “merr me vete”, ndërsa mbyllja e qendrave tregtare.

Po ashtu është kufizuar lëvizja e qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00. Këto masa do jenë në fuqi deri më 18 prill.

(Kosova Sot Online)