Gafa e Presidencës turke, karrige zyrtare vetëm për burrat, Leyen ulet në divan

  • E.K /
  • 07 April 2021 - 15:16
 Gafa e Presidencës turke, karrige zyrtare vetëm për burrat, Leyen ulet në divan

Vizita e liderëve të Bashkimit Europian në Turqi u shoqërua me një ortek polemikash. Kjo për shkak të një incidenti me protokollin, i cili në rrjete sociale është bërë viral duke nxitur kritika dhe akuza për seksizëm.

Ngjarja është pagëzuar me termin “sofagate”. Në mes qëndron një divan, në të cilin presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan, akomodoi presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, ndërsa ai dhe presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, zunë vend tek karriket zyrtare ku pas tyre qëndronin flamujt përkatës. Në video dëgjohet një psherëtimë zhgënjimi nga Leyen.

“Dikush duhet të turpërohet nga mungesa e një ulëse të përshtatshme për Ursula Von Der Leyen në pallatin e Erdogan. BE sinjalizoi pranimin e dialogut, por ne jemi të prerë për vlerat tona. Gratë meritojnë të njëjtin trajtim si kolegët e tyre burra.”, deklaruan Partitë Popullore Europiane.

Të tjerët drejtuan gishtin nga Charles Michel. Një eurodeputet francez e konsideroi të papranueshëm faktin që Presidenti i Këshillit Europian pranoi dhunën simbolike të detyruar nga Erdogan. Gjithashtu solli fakte që në të kaluarën ka pasur trajtime të tjera për liderët e BE-së./A2CNN

(Kosova Sot Online)