Bavaria e Gjermanisë bën marrëveshje për miliona vaksina ruse: Është shumë efektive

  • E.K /
  • 08 April 2021 - 10:21
 Bavaria e Gjermanisë bën marrëveshje për miliona vaksina ruse: Është shumë efektive

Rajoni juglindor i Gjermanisë, Bavaria, ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e 2.5 milionë doza të vaksinës ruse, “Sputnik V”, posa ajo të miratohet për përdorim nga rregullatorët evropianë.

Markus Soeder, kryeministër i Bavarisë, tha të mërkurën se Bavaria ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi për furnizim me vaksinën “Sputnik V”, shkruan Free Europe.

Soeder njoftoi se nëse vaksina ruse miratohet për përdorim nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve, Bavaria do të furnizohet me rreth 2.5 milionë doza që do të prodhoheshin nga një kompani në qytezën bavareze, Illertissen.

Ministri bavarez i Shëndetësisë, Klaus Holetschek, tha se prodhimi i vaksinës ruse mund të fillojë këtë vit, duke shtuar se në memorandum përfshihet edhe mundësia e importimit dhe se vaksina është shumë efektive.

Rusia e miratoi për përdorim vaksinën ruse, “Sputnik V”, në gusht të vitit të kaluar, duke e bërë atë vaksinën e parë në botë që mori miratim për t’u përdorur kundër sëmundjes Covid-19, ndonëse në atë kohë nuk ishin kompletuar të gjitha testimet.

Qeveria gjermane, e cila është duke u përballur me kritika rreth zhvillimit të ngadalshëm të programit të vaksinimit, muajin e kaluar tha se do të jetë e hapur për përdorimin e vaksinës ruse, nëse ajo miratohet nga rregullatori evropian.

(Kosova Sot Online)