Edhe një shtet i madh i BE-së pezullon vaksinën e AstraZeneca-s për ata nën 60 vjeç

  • E.K /
  • 08 April 2021 - 12:32
 Edhe një shtet i madh i BE-së pezullon vaksinën e AstraZeneca-s për ata nën 60 vjeç

Spanja e ka kufizuar përdorimin e vaksinës së kompanisë AstraZeneca vetëm për personat mbi moshën 60-vjeçare, pasi rregullatorët evropianë dhe britanikë gjetën lidhje të mundshme mes kësaj vaksine dhe mpiksjes së rrallë të gjakut në tru.

“Strategjia e vaksinimit është duke ndryshuar dhe nga nesër, vetëm personat mbi moshën 60-vjeçare do të vaksinohen me vaksinën e AstraZeneca-s”, tha ministrja e Shëndetësisë, Carolina Darias, gjatë një konference për gazetarë të mërkurën.

Ministrja gjithashtu tha se të enjten do të merret një vendim nëse personat që e kanë marrë dozën e parë të kësaj vaksine do ta marrin edhe dozën e dytë apo jo, shkruan Reuters.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve të mërkurën njoftoi se ka raporte për 169 raste të mpiksjes së rrallë të gjakut nga 34 milionë doza të dhëna brenda Evropës. Shumica e këtyre rasteve u paraqitën te gratë nën moshën 60-vjeçare, brenda dy javësh pas vaksinimit.

Maria Jesus Lamas, drejtore e rregullatorit spanjoll të ilaçeve, tha se numri i rasteve të mpiksjes është më i lartë sesa është pritur, por prapë shumë i vogël.

Ministrat e Shëndetësisë të vendeve të Bashkimit Evropian dështuan gjatë një samiti që të pajtohen për këshillë të përbashkët rreth kësaj vaksine, ndërsa Agjencia Evropiane e Ilaçeve tha se shtetet duhet të vendosin rregulla veç e veç.

(Kosova Sot Online)