Një person gjendet i pajetë në banesë 9 vjet pas vdekjes

  • E.K /
  • 09 April 2021 - 09:49
Një person gjendet i pajetë në banesë 9 vjet pas vdekjes

Policia norvegjeze ka thënë se trupi i pajetë i një burri është gjetur në banesën e tij në Oslo nëntë vjet pas vdekjes.

Burri në të gjashtëdhjetat kishte qenë i martuar më shumë se një herë dhe gjithashtu kishte fëmijë, raportoi transmetuesi publik norvegjez, NRK.

Megjithatë, sipas fqinjëve, ai rrinte i vetmuar dhe kur nuk e shihnin, mendonin se është zhvendosur ose është dërguar në ndonjë institucion. Trupi u gjet vetëm kur një kujdestar kërkoi nga policia që ta hapte banesën në mënyrë që të mund ta kryente punën.

Policia beson që ky burrë kishte vdekur në prill të vitit 2011, në bazë të një kutie me qumësht dhe një letre që u gjetën në banesën e tij. Pas autopsisë, u zbulua se ai ka vdekur nga shkaqe natyrore, shkruan The Guardian.

Pensioni i tij ishte ndalur në vitin 2018, kur Administrata e Punës dhe Mirëqenies nuk kishte arritur të kontaktonte me të, por faturat e tij vazhdonin të paguheshin në mënyrë automatike nga llogaria bankare.

Inspektorja policore e Oslos, Grete Lien Metlid, i tha televizionit NRK se ajo dhe kolegët e saj kanë menduar gjatë se si dikush mund të ketë qëndruar i vdekur për një kohë kaq të gjatë pa i munguar askujt.

“Ky është një rast i veçantë dhe na ka bërë të pyesin se si ka mundur të ndodhë. Sipas pamjes që ne e kemi, ai qartazi ka qenë person që ka zgjedhur të ketë pak kontakte me të tjerët”, deklaroi zyrtarja policore.

(Kosova Sot Online)