Presidenca njofton për urimet që ka pranuar Vjosa Osmani pas zgjedhjes në krye të shtetit

  • E.K /
  • 10 April 2021 - 10:11
 Presidenca njofton për urimet që ka pranuar Vjosa Osmani pas zgjedhjes në krye të shtetit

Zyra e Presidentes ka njoftuar se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmanit, ka pranuar telegrame urimi nga Princi i Kurorës Mbretërore të Norvegjisë, Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Emiri i Kuvajtit, Princi saudit i kurorës dhe Kryetari i Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, për zgjedhjen e saj në këtë pozitë.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Presidentes, përmes një komunikate drejtuar mediave.

Sipas ZPRK’së, në telegramin e Princit të Kurorës Mbretërore të Norvegjisë, Haakon, ai ka uruar Osmanin dhe popullin e Kosovës për prosperitet.

Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian Olivér Várhelyi, nëpërmjet një postimi në Twitter ka uruar Osmanin për detyrën dhe ka shfaqur shpresën që institucionet e sapoformuara ta qojnë përpara agjendën evropiane. Në këtë kontekst, ai e ka cilësuar kyçe çështjen e dialogut me Serbinë.

Telegram urimi në adresë të Presidentes Osmani ka dërguar edhe Emiri i Kuvajtit, Sheikh Naëaf Al-Ahmad Al-Jabar Al-Sabah. Ai ka shfaqur shpresën për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet të të dy popujve, ka njoftuar ZPRK’ja.

Edhe Princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman bin Abdulaziz Al Saud ka uruar Presidenten Osmani, me dëshirën që Kosova të ketë sa më shumë progres.

Kurse Kryetari i Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Mustafa Sentop, në telegramin e urimit ka shfaqur shpresën që marrëdhëniet e mira ndërmjet të të dy shteteve të vazhdojnë edhe nën udhëheqjen e Osmanit.

(Kosova Sot Online)