Arabia Saudite ekzekuton tre ushtarë për “tradhti të lartë”

  • E.K /
  • 10 April 2021 - 12:54
 Arabia Saudite ekzekuton tre ushtarë për “tradhti të lartë”

Arabia Saudite të shtunën ekzekutoi tre ushtarë të shpallur fajtorë për “tradhti të lartë” dhe “bashkëpunim me armikun”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Në deklaratën e kësaj ministrie thuhet se tre ushtarët janë dënuar me vdekje nga një gjykatë speciale pas një gjykimi të drejtë, shkruan Reuters.

Ministria nuk e përmendi emrin e armikut të pretenduar me të cilin kanë bashkëpunuar ushtarët, por ekzekutimi i tyre u bë në një provincë jugore që kufizohet me Jemenin, ku Arabia Saudite është në luftë për më shumë se gjashtë vjet kundër rebelëve Houthi, të cilët janë të lidhur me Iranin.

Arabia Saudite ka marrë vëmendje të madhe botërore për shkak të gjendjes rreth të drejtave të njeriut që nga vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi në tetor të vitit 2018 në konsullatën e këtij shteti në Stamboll dhe ndalimit të aktivistëve për të drejtat e grave.

Grupet për të drejtat e njeriut, përfshirë të famshmin “Amnesty International”, i kanë bërë thirrje Riadit që ta ndërpresë përdorimin e dënimit me vdekje, duke i cituar pretendimet për torturime dhe gjykime të padrejta. Sidoqoftë, Arabia Saudite i ka mohuar këto akuza.

Vitin e kaluar, Arabia Saudite ekzekutoi vetëm 20 persona, që është shifër shumë e ulët në krahasim me rekordin prej 185 të ekzekutuarve në vitin 2019, sipas të dhënave të Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

(Kosova Sot Online)