Osmani pret në Presidencë Sejdiun, Jahjagën e Pacollin

  • G.G /
  • 13 April 2021 - 13:11
Osmani pret në Presidencë Sejdiun, Jahjagën e Pacollin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ish-presidentët Fatmir Sejdiun, Atifete Jahjagën dhe Behgjet Pacollin. Ky takim sipas Osmanit është një praktikë e re për zhvilluar takime dhe konsultime me ish-presidentët.

Disa fjalë ajo i pati për ish-presidentët që sot i priti në takim.

“Sejdiu ka qenë  njeriu kyç në disa prej momenteve historike të Kosovës, duke filluar nga pavarësia, tek njohjet e vendit.  Presidentja Jahjaga si presidentja e parë grua që i përfaqësoi interesat e të gjithë qytetarëve jashtë vendit, e mbi të gjitha kauzën për barazi gjinore dhe atë për statusin e viktimave të dhunës së luftës.  Poashtu edhe presidenti Pacolli që ka shërbyer në politikën e jashtme përfshirë edhe gjatë kohës sa ishte ministër i MPJ-së”, ka deklaruar Osmani.

Në anën tjetër ish-presidenti Fatmir Sejdiu theksoi se Vjosa Osmani si presidente ishte zgjedhje e mirë.

“Mendoj që është një zgjedhje e mirë. Natyrisht që Kosova tash e sa kohë është në peripeci në proceset zgjedhore. Për mua personalisht është fakt i njohur se kemi punuar jashtë edhe në këtë sallë, e ku edhe disa prej mobilieve janë të njëjta. Fundja jo me këtë pjesë formale por që është hapësira se ku punojmë. Por jo vetëm kjo por e gjithë Kosova si brenda ashtu edhe jashtë vendit”, ka thënë Sejdiu.

Se Osmani është zgjedhja e duhur për presidente e tha edhe Atifete Jahjaga. Kjo e fundit i konfirmoi Osmanit që do ta mbështes në cilindo proces të rëndësishëm për Kosovën.

“Jeni zgjedhja e duhur në momentin e duhur për qytetarët e Kosovës, e veçanërisht për gruan e Kosovës. Kemi shumë punë për të bërë. Do të na kesh afër dhe në krahë në secilin do proces të nevojshëm për Kosovën”, tha Jahjaga.

Ndërsa, Pacolli u shpreh i lumtur që Kosova tani ka një përfaqësim siç tha ai dinjitoz.

“Jam i lumtur që Kosova e ka një përfaqësim dinjitoz dhe ne do të qëndrojmë prapa m,e fuqinë tonë që kemi, me aq sa dimë dhe aq sa mundemi”, tha Pacolli.

(Kosova Sot Online)