Lushi: SHBA s’e pengon qasjen e Kosovës në vaksinat që prodhohen nga kompanitë amerikane

  • E.K /
  • 15 prill 2021 - 07:59
 Lushi: SHBA s’e pengon qasjen e Kosovës në vaksinat që prodhohen nga kompanitë amerikane

Përfaqësuesi i Kongresit Panshqiptar Amerikan, Uk Lushi, pas takimit që kanë pasur me pesë zyrtarë nga Departamenti i Shtetit për të lobuar për sigurimin e vaksinave për qytetarët e Kosovës, ka treguar se kanë marrë konfirmim që s’do të krijohen pengesa për Kosovën për të krijuar qasje në kompanitë amerikane që prodhojnë vaksina.

Kjo meqë shteti amerikan tash për tash nuk u lejon kompanive amerikane dhënien e vaksinave shteteve të tjera pa u vaksinuar qytetarët amerikanë.

Kjo ishte edhe arsyeja pse Kongresi Panshqiptar i është drejtuar me letër Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.

“U mobilizuam dhe organizuam dhe po shpresojmë që aktivitetet që po i zhvillojmë me kontaktet tona që po i shfrytëzojmë me kompanitë që prodhojnë vaksinën do të mundësojnë që edhe Kosova të pajiset me këto vaksina. Kemi pasë disa vështirësi për arsye se shteti amerikan për faktin se nuk e ka vaksinuar gjithë popullatën nuk u lejon këtyre kompanive që të japin vaksina shteteve të tjera”.

Lushi ka thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë Qeverinë e Kosovës dhe se kanë fokusin te qytetarët e Kosovës meqë kanë më shumë probleme në sigurimin e vaksinës, për dallim prej shteteve të tjera të rajonit.

“Jam shumë optimist që edhe shteti amerikan ka treguar mirëkuptim dhe besoj që edhe Kosova do të ketë qasje në vaksina. Shteti amerikan s’do ta pengojë qasjen e Kosovës në vaksinat që prodhohen nga kompanitë amerikane”.

Lushi në Edicionin Special ka thënë se e kanë përdorur si argument refuzimin e Kosovës për të marrë vaksina nga Kina dhe Rusia për arsye politike.

(Kosova Sot Online)