A do të ndryshojnë masat anti-Covid? Arben Vitia sot takon kryetarët e komunave

  • E.K /
  • 15 April 2021 - 10:22
 A do të ndryshojnë masat anti-Covid? Arben Vitia sot takon kryetarët e komunave

Ministri i  Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, do të takojnë sot kryetarët e komunave dhe përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Media mëson se mbledhja virtuale do të mbahet në orës 10:00, ndërkaq temë diskutimi do të jetë edhe lehtësimi i masave kufizuese, gjë kjo e cila po kërkohet nga kryetarët e komunave.

Ndërkaq Asociacioni i Komunave të Kosovës po kërkon që dialogu në mes nivelit lokal dhe atij qëndror të jetë i domosdoshëm.

Kështu ka thënë drejtori i AKK’së, Sazan Ibrahimi.

Kërkesat, rekomandimet dhe sugjerimet tona janë të qarta. Dialogu në mes nivelit lokal dhe atij qëndror është i domosdoshëm dhe i nevojshëm. Duhet gjetur balanci në mes shëndetit publik dhe atij ekonomik, pasi komunat kanë presion nga bizneset lokale dhe shqetësimet e tyre duhet marrë parasysh”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ndryshe, sipas masave aktuale anti-COVID ndalohet lëvizja e qytetarëve pas orës 22:00, deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Lokalet e gastronomisë e kanë të ndaluar veprimtarinë, përveç shërbimeve “merr me vete” dhe me dërgesë.

Këto masa që janë miratuar nga Qeveria e Kosovës, janë në fuqi nga data 7 deri më 18 prill.

(Kosova Sot Online)