PDK inicion tri seanca për pandeminë

  • E.K /
  • 16 April 2021 - 11:42
 PDK inicion tri seanca për pandeminë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se presin nga kryeministri i vendit Albin Kurti, që sa më shpejtë të raportojë në Kuvendin e Kosovës lidhur me problemet që ka shkaktuar pandemia në Kosovë.

“U tash e një kohë prej kur kemi dorëzuar dhe kemi kërkuar në vazhdimësi nga kryeministri që të adresohet në Kuvendin e Kosovës lidhur me prioritetet e tij për sa i përket tri çështjeve problemeve të mëdha që i ka shkaktuar pandemia: Me ekonominë, arsimin dhe shëndetësinë”, ka thënë Tahiri.

Më tutje ai tha se sot ka deponuar në Kuvendin e Kosovës tri kërkesa për debate parlamentare për gjendjen alarmante të pandemisë në Kosovë. 

Tahiri tha se debati i parë që do të mbahet do të jetë për dështimin e qeverisë për sigurimin e vaksinave Anti-Covid.

“Kosova vazhdon të jetë në hartën e vendeve të fundit në botë sa i përket vaksinimit, dhe kjo paraqet jo vetëm shqetësim por edhe rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve tanë”, tha Tahiri.

Kreu i deputetëve të PDK-së tha se debati i dytë parlamentar do të mbahet për organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në këto rrethana pandemie.

“Viti që lamë pas, fatkeqësisht ishte vit i humbur për sistemin tonë arsimor. Nuk mund ta pranojmë që edhe viti 2021, të jetë një vit i humbur për arsimin dhe për gjeneratat e nxënësve që vijojnë shkollimin në çdo nivel. Kjo nuk është temë e rëndomtë. Po flasim për rreth 345 mijë nxënës në arsimin para universitar, 23 mijë mësimdhënës të cilët sot kanë mbetur pa një plan konkret, pa mbështetje dhe pa mjete për ta realizuar agjendën e arsimit në vend”, tha Tahiri.

Tema e tretë që PDK do të kërkojë të debatohet në Kuvend është gjendja e rënduar ekonomike nga pandemia.

“Nuk kemi parë asnjë plan konkret dhe asnjë ide konkrete se si qeveria Kurti do t’i menaxhojë pasojat e pandemisë në ekonomi. Nuk kemi kuptuar se çfarë do të ndodhë me Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike që është miratuar në Kuvendin e Republikës. Aktualisht kemi rreth 60 mijë qytetarë të papunë dhe mijëra biznese që kanë falimentuar gjatë pandemisë. Nuk mund të presim që ekonomia, bizneset dhe ndërmarrësit të mbesin në disponimin ditor e javor të kryeministrit apo ministrit të shëndetësisë të cilët vendosin kuturu ta mbyllin vendin për një javë e për dy javë, pa pasur një plan konkret për menaxhimin e pasojave ekonomike të kësaj mbyllje”, tha Tahiri

(Kosova Sot Online)