Turqia ia kthen Kanadasë: Ke standarde të dyfishta, i shet armë Arabisë që lufton në Jemen

  • E.K /
  • 16 April 2021 - 12:13
 Turqia ia kthen Kanadasë: Ke standarde të dyfishta, i shet armë Arabisë që lufton në Jemen

Turqia e ka akuzuar Kanadanë për zbatim të standardeve të dyfishta në lidhje me shitjen e teknologjive luftarake në vendet e huaja pasi shteti i Amerikës Veriore ia ndali eksportin e teknologjisë së dronëve Turqisë shkaku i përdorimit të kësaj teknologjie nga Azerbajxhani kundër Armenisë në luftën për Nagorno-Karabakun.

Pas vendimit për ndalimin e eksportimit të teknologjisë së dronëve nga Kanadaja, agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, Anadolu, paralajmëroi se Turqia mund t’i kundërpërgjigjet Kanadasë duke ia ndaluar shitjen e dronëve, duke i shkaktuar probleme serioze, për shkak se në botë janë vetëm katër shtete që prodhojnë dronë luftarakë që janë testuar në fushëbetejë.

Kanadaja ka thënë se një dron i rrëzuar nga forcat armene vjeshtën e kaluar ishte dron luftarak i pajisur me kamerë dhe sistem të prodhuara nga kompania “Burlington” me bazë në Kanada.

Autoritetet kanadeze kanë thënë se qëllimi i politikës së saj të eksportimit të teknologjisë luftarake është që të sigurohet se eksportet kanadeze nuk janë paragjykuese ndaj të drejtave të njeriut, paqes, sigurisë dhe stabilitetit në secilin rajon të botës, sipas një raporti qeveritar për eksportimin e prodhimeve ushtarake të vitit 2018.

Megjithatë, një bazë e tillë ekziston edhe për ndalimin e eksportimit të armëve në Arabinë Saudite, e cila është duke marrë pjesë në luftën e Jemenit. Në këtë luftë janë vrarë dhjetëra mijëra civilë.

Lufta në Jemen e ka krijuar atë që OKB-ja e cilëson si krizën më të rëndë humanitare në botë. Sipas organizatës “Save the Children”, vetëm deri në tetor të vitit 2018, mbi 84 mijë fëmijë kanë vdekur nga uria në Jemen.

(Kosova Sot Online)