Bieber: Propozimi për ndryshim të kufijve është kërcënim serioz për t’u injoruar nga Michel dhe Von der Leyen

  • E.K /
  • 16 April 2021 - 12:26
 Bieber: Propozimi për ndryshim të kufijve është kërcënim serioz për t’u injoruar nga Michel dhe Von der Leyen

Profesori i Historisë, dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Florian Bieber ka thënë se kryeministri slloven Janez Jansa duhet të reagojë për ‘letrën sllovene’ që po qarkullon për ridefinim kufijsh. Sipas Bieber propozimi i tillë është mjaft serioz për t’u injoruar nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

“Na nevojitet qartësi sa i përket propozimit jozyrtar për ndarje etnike dhe ndryshime të kufijve që po i atribuohen kryeministrit Janez Jansa. Ose një mohim i qartë ose një refuzim të idesë apo konfirmim. Propozimi është kërcënim serioz për t’u injoruar nga Charles Michel dhe Ursula Von der Leyen”, ka shkruar Bieber.

Një letër e publikuar nga mediumi slloven “necenzuriano.si’ ku përshkruhet plani për ridefinimin e kufijve të disa prej shteteve të Ballkanit Perëndimor ka nxitur reagime të mëdha. Sot ka reaguar ministri për Evropë i Qeverisë Gjermane, Michael Roth, i cili ka thënë se vizatimi i kufijve të rinj është një rrugë e rrezikshme.

Në “non-paper”-in e publikuar nga gazeta sllovene “necenzuriano.si”, e që thuhet të jetë letër që mban autorësinë e kryeministrir slloven, përshkruhet në pika të ndara ridefinimi i kufijve të Kosovës e Bosnje e Hercegovinës.

Për Kosovën përmendet bashkimi me Shqipërinë, derisa përmendet edhe ndarja e Bosnjës dhe bashkimit të “Republika Srpskas” me Serbinë.

Lidhur me këtë dje në një konferencë për media ka folur edhe politikanja sllovene, Tanja Fajon. Ajo ka thënë se Sllovenia duhet të dal më një pozicion të qartë sa i përket perspektivës së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Derisa ka shtuar se një ide e tillë është tepër e rrezikshme.

(Kosova Sot Online)