I biri qëlloi me thikë 5 besimtarë në xhami, flet i ati: Nuk është mirë me shëndetin

  • A.P /
  • 19 April 2021 - 19:51
I biri qëlloi me thikë 5 besimtarë në xhami, flet i ati: Nuk është mirë me shëndetin

Rudolf Nikolla nga Mati mesditën e sotme plagosi 5 persona me thikë në xhaminë “Dine Hoxha”. Pas sulmit ai u neutralizua nga vetë besimtarët dhe kalimtarët e rastit në zonën e Rrugës së Kavajës.

Babai i Rudolf Nikollës u shpreh në një intervistë për News 24  se vetë ishte katolik, por gruan e kishte myslimane dhe djalit nuk i kishte thënë asgjë që shkonte në xhami. Po sipas të atit, djalin e kishte shtyrë drejt fesë islame që në moshë të vogël një hoxhë në zonën e Matit ku banojnë.

“Unë vetë jam katolik. Një hoxhë që rrinte këtu i merrte kalamajtë që të vegjël. Filloi çuni duke u falur me myslimanizmin. Pavarësisht se jam katolik unë myslimanët i respektoj se gruan myslimane e kam” tha ai. I ati shprehet se lajmin e mësoi nga TV.

“E mora vesh në lajme, jam shumë i irrituar, nuk di cfarë them, është një nga fëmijët më të mirë, kam 4 çuna dhe dy goca”.

Babai i agresorit deklaron se djalin e ka të sëmurë dhe se vuan nga shëndeti mendor. Kriza shëndetësore, vijon më tej i ati, e preku pasi u largua disa muaj për në Maqedoni dhe kur u kthye nga vendi fqinj nuk ishte më si më parë.

“Djali iku në Maqedoni, nuk e di cfarë i futën ndonjë çaj, ndonjë gjë, kaloi në depresion, që përpara vitit të ri. I thashë pijë ilaçet, por nuk i pinte. Ai nuk është mirë me shëndetin. Nga viti i ri dhe deri tani shkoi 5 herë në spital. Nuk ma merrte mendja se do ta bënte këtë gjë në vend të shenjtë. Unë e kam fëmijë dhe nuk kam ku ta çoj”. Gjatë intervistës i ati zbuloi se djali, kishte kaluar së fundmi edhe koronavirusin. “E kaloi COVID-in me shumë stres, më ka ngarkuar kaq shumë”.

(Kosova Sot Online)