Pakistani “all in” kundër Perëndimit, kërkon bojkot tregtar për fyesit e Profetit Muhamed

  • E.K /
  • 20 April 2021 - 11:30
 Pakistani “all in” kundër Perëndimit, kërkon bojkot tregtar për fyesit e Profetit Muhamed

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, u bëri thirrje shteteve me shumicë myslimane që të lobojnë te qeveritë perëndimore për ta kriminalizuar fyerjen ndaj Profetit Muhamed.

“Neve na duhet të shpjegojmë se kjo na lëndon, kur në emër të lirisë së shprehjes ata e fyejnë nderin e profetit”, tha Khan gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion të hënën.

“Kur 50 shtete myslimane do të bashkohen dhe do ta thonë këtë dhe kur do të thonë se nëse diçka si kjo ndodh në çfarëdo shteti, atëherë ne do të bëjmë bojkot tregtar ndaj tyre dhe nuk do t’i blejmë mallrat e tyre, kjo do të ketë një efekt”, deklaroi shefi i qeverisë pakistaneze.

Sipas tij, fyerja e Profetit Muhamed duhet të trajtohet sikur rastet kur vihet në pikëpyetje Holokausti, gjë që konsiderohet krim në disa shtete, shkruan Daily Mail.

Qeveria e Pakistanit të martën do të kërkojë votim në Kuvend për ta dëbuar ambasadorin e Francës pas protestave kundër shtetit evropian nga islamistët që po kërkojnë masa rreth publikimit të karikaturave të Profetit Muhamed, tha ministri i Brendshëm.

Marrëdhëniet mes Parisit dhe Islamabadit u tensionuan, pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, e nderoi vitin e kaluar një mësues francez që iu hoq koka nga një burrë me origjinë çeçene për paraqitjen e karikaturave të Profetit Muhamed para nxënësve, shkruan Reuters.

(Kosova Sot Online)