Bajqinovci: Qytetarët do të hetohen për konfiskim të pasurisë vetëm nëse kanë lidhje me politikën

  • A.P /
  • 20 April 2021 - 23:58
Bajqinovci: Qytetarët do të hetohen për konfiskim të pasurisë vetëm nëse kanë lidhje me politikën

Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka thënë se Agjencia për Konfiskimin e Pasurisë, që Vetëvendosje ka synim ta krijojë, do t’i hetojë vetëm politikanët dhe qytetarët që kanë lidhje me politikën.

Bajqinovci tha se kjo agjenci do të krijohet nga Kuvendi dhe vetëm Kuvendit do t’i japë përgjegjësi. Sipas tij, kjo agjenci do t’i hetojë personat vetëm përmes Gjykatës.


“Kjo agjenci do të krijohet nga Kuvendi dhe do të jetë e pavarur. Agjencia për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do ta konfiskojë pasurinë përmes Gjykatës. Këta po tentojnë t’i frikësojnë qytetarët e Kosovës, kinse do të hetohet mërgata, kjo s’është e vërtetë. Do të hetohet vetëm qytetari që ka lidhje me politikën”, është shprehur Bajqinovci.

Tutje, Bajqinovci tha se kjo agjenci nuk është hakmarrje politike për shkak se heton personat që kanë vjedhur pasurinë e shtetit.

“Hakmarrje politike është vetëm nëse ti dikë e heton pa të drejtë. Nuk ka hakmarrje politike nëse ti e heton atë që e ka vjedhur pasurinë shtetërore”, shtoi Bajqinovci.

(Kosova Sot Online)